Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, e ka refuzuar propozimin e kryeministrit britanik, Boris Johnson, për një marrëveshje të re bërthamore, e cila do të udhëhiqej nga presidenti amerikan, Donald Trump. Rouhani e akuzoi kreun e Shtëpisë së Bardhë se gjithmonë i shkel premtimet.
Kryeministri britanik, i cili e çmon Trump-in si njeri me aftësi të larta për arritje të marrëveshjeve, të martën bëri thirrje për zëvendësim të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me një marrëveshje të re në mënyrë që fuqitë botërore të sigurohen se Irani nuk do të prodhojë armë bërthamore.
Presidenti amerikan tha se pajtohet me propozimin e shefit të qeverisë britanike, por një gjë e tillë nuk u miratua nga Rouhani. Presidenti i republikës islamike i bëri thirrje Uashingtonit që të kthehet në paktin bërthamor, nga i cili u tërhoq në vitin 2018.
Në këtë marrëveshje parashihet largimi i sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit në këmbim të kufizimit të pasurimit të uraniumit nga vendi aziatik.
Që nga tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga kjo marrëveshje, presidenti Trump i ka kthyer sanksionet kundër Iranit, duke ia dëmtuar ekonominë në masë të konsiderueshme.
Në anën tjetër, Irani e ka shkelur disa herë marrëveshjen bërthamore përmes tejkalimit të kufirit për pasurimin e uraniumit, shkruan “Reuters”.