Irani rifillon pasurimin e uraniumit në 20%

Prishtinë | 04 Jan 2021 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Irani rifilloi pasurimin e uraniumit në 20 për qind, gjë që paraqet shkeljen më të madhe të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore.

Zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei, tha për mediat lokale se procesi ka nisur në uzinën nëntokësore Fordow.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të bërë karburant për reaktorë, por edhe për bomba bërthamore. Uraniumi i shkallës së armëve është i pastër 90%.

Irani ka pezulluar disa pika të marrëveshjes bërthamore, prejse SHBA-ja është tërhequr prej saj në vitin 2018 dhe ka rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore nuk e ka konfirmuar ende njoftimin e fundit të Iranit. Por, ajo ka thënë të premten se është informuar nga Irani se planifikon të rinisë pasurimin e uraniumit në 20 për qind.

Teherani gjithmonë ka mohuar synimet për të krijuar armë bërthamore, duke thënë se programi i tij bërthamor ka rreptësisht qëllime civile.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme