Irani thotë se e ka lëshuar me sukses në orbitë një satelit ushtarak

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Rojet Revolucionare të Iranit kanë thënë të mërkurën se e kanë lëshuar me sukses në orbitën e Tokës  një satelit ushtarak pas disa përpjekjeve të dështuara.

Televizioni shtetëror dhe agjencia shtetërore e lajmeve, të cilat janë të lidhura me këto forca, e raportuan këtë zhvillim duke e quajtur lëshim të suksesshëm.

Nuk ka konfirmim të pavarur për lëshimin e këtij sateliti, por analistët kanë shprehur shqetësime për mundësinqë që kjo teknologji të përdoret nga republika islamike për zhvillimin e raketave balistike ndërkontinentale.

“Sateliti i parë ushtarak i Iranit, Noor, është lëshuar këtë mëngjes. Lëshimi ishte i suksesshëm dhe sateliti arriti në orbitë”, thuhet në njoftimin e televizionit shtetëror.

Muajve të fundit, Irani i ka përjetuar disa përpjekje të dështuara për lëshimin e satelitëve. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se këto lëshime e avancojnë programin e Iranit për raketa balistike, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express

Të ngjashme