Pothuajse 20 vjet pas të ashtuquajturës Marrëveshja e Paqes së të Premtes së Mirë, politika e Irlandës së Veriut vazhdon ende të dominohet nga nacionalistët në njërën anë dhe nga unionistët nga ana tjetër. Nacionalistët e ndjejnë tradicionalisht veten si qytetarë irlandezë dhe janë pro ribashkimit me Irlandën, ndërsa unionistët e konsiderojnë veten si qytetarë britanikë dhe duan të vazhdojnë të jenë pjesë e Britanisë së Madhe.
Por dy palët armiqësore gjatë konfliktit e qeverisën vendin në koalicion për pothuajse nëntë vjet. Deri një vit më parë, kur shkaku për krizën qeveritare u bë një program për nxitjen e energjive të rinovueshme.
Partia Republikane Irlandeze Sinn Fein e konsideronte atë si harxhim të kotë taksash prej rreth 500 milionë euro dhe i kërkoi kryeministres Arlene Foster të partisë protestante DUP (Democratic Unionist Party) të jepte dorëheqjen. Për shkak se Foster nuk e pranoi këtë, kreu i partisë Sinn Fein, Martin McGuiness, i cili ndërkohë ka vdekur, dha dorëheqjen si zëvendëskryeministër dhe koalicioni qeverisës u shpërbë.
Përgjegjësi tek qeveria rajonale e Londrës
Pas zgjedhjeve në mars të vitit 2017 kaluan disa herë afatet për të formuar një qeveri të re dhe për këtë shkak ministri për Irlandën e Veriut i Britanisë së Madhe, pjesë e së cilës është edhe Irlanda e Veriut, vendosi që përkohësisht t’i transferonte disa përgjegjësi tek qeveria rajonale e Londrës. Tani pak para se kriza qeveritare iralandezoveriore të mbushë vitin, ministri për Irlandën e Veriut, James Brokenshire, shpalli dorëheqjen.
Të gjitha këto zhvillime po ndodhin edhe në prag të Brexitit, i cili do ta ndajë sërish ishullin. Kjo për faktin se Republika e Irlandës është anëtare e Bashkimit Evropian, kurse Irlanda e Veriut, si pjesë e Britanisë së Madhe, do të dalë nga BE-ja.
Ndikime masive në rajon
Pra kufiri i jashtëm i BE-së do të kalojë në të ardhmen përmes ishullit, gjë që mund të sjellë ndikime masive në rajon. Pas Marrëveshjes së Paqes së të Premtes së Mirë kufiri u hap, pasi që nga viti 1969 kishte qenë i mbyllur masivisht prej trupave britanike. Shkak për këtë qe shtimi i dhunës në konfliktin e Irlandës së Veriut. Britania e Madhe e mbylli kufirin për të parandaluar kontrabandën e armëve nga kampe sekrete në Republikën e Irlandës për në Irlandën e Veriut.
Jonathan Powell, ndërmjetësuesi i Marrëveshjes së Paqes së të Premtes së Mirë, tha në intervistë për DW se “trazirat e mëdha nuk do të kthehen, por ne po e minojmë marrëveshjen politike që kemi arritur, dhe kjo do të ishte katastrofike. Nëse do të rivendosen vendkalime kufitare, do të na duhen gjithashtu roje kufiri dhe ata mund të janë në shënjestër të atentatorëve. Do të ketë më shumë sulme dhe kaos. Në Irlandën e Veriut vërtet nuk ka luftë civile, por ne ende kemi dhunë. Dhe sot në Belfast ka edhe më shumë mure që ndajnë popullsinë sesa në kohën kur u nënshkrua Marrëveshja e së Premtes së Mirë”.
Premtime nga Londra
Kryeministrja britanike Theresa May i ka premtuar partisë protestante DUP një miliardë paund shtesë për Irlandën e Veriut, por kjo ka shkaktuar reagimin e politikanëve të Uellsit dhe të Skocisë që thonë se përse një ndihmë e tillë do t’i jepet vetëm Irlandës së Veriut dhe jo edhe rajoneve të tyre.
E vështirë për t’u realizuar në praktikë është edhe premtimi i kryeministres Theresa May, që ajo do t’i lejojë Irlandës së Veriut të gëzojë si të drejtat si pjesë përbërëse e Britanisë së Madhe edhe të drejta si një rajon faktikisht i posaçëm. Kjo do të thoshte që ose Britania e Madhe të mbetet pjesë e tregut të brendshëm dhe bashkimit tregtar të BE-së, ose të imitojë ligjet që ekzistojnë mes vendeve anëtare të BE-së.