Isa Mustafa: Partia në pushtet po gënjen, djemtë e mi nuk kanë terminal

Prishtinë | 10 Tet 2022 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po gënjen, derisa ka deklaruar se djemtë e tij nuk posedojnë terminal, shkruan Paparaci.

Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka postuar një video të re ku përmenden personazhe si Margarita Kadriu, djemtë e Isa Mustafës, Sami Lushtakut dhe biznesmenët e njohur, Devollët.

Përmes videos, LVV-ja ka akuzuar duke thënë se terminalet kanë qenë pronësi private e të lidhura ngushtë me politikën.

Pas përmendjes së familjarëve, ish-kryeministri Mustafa në një përgjigje për Paparacin ka thënë se partia në pushtet po gënjen.

“Po gënjen partia në pushtet”.

Tutje, Mustafa ka thënë se kompania nuk është e djemëve të tij, por është kompani privat, për të cilën nuk ka autorizim të jep deklarata.

“Është kompani sllovene, për të cilën unë nuk kam autorizim të jap deklarata.  Nuk është kompani e djemëve të mi”, ka deklaruar Mustafa për Paparacin.

Në videon e LVV-së, ku flitet për Terminalin e Kosovës në Portin e Durrësit, i cili ditë më parë filloi punën me kapacitete të plota, thuhet se terminalet nëpër Kosovë kanë qenë në pronësi private të lidhura ngushtë me politikën, e që sipas tyre këto terminale i kanë përvetësuar 37 milionë euro për një vit.

Në anën tjetër, në video thuhet se Lëvizja Vetëvendosje që nga ardhja në pushtet i ka kthyer disa terminale në shtetërore.

“Fitimin që disa familje e kanë nxjerrë prej shtetit, tash e merr shteti”, thuhet aty.

Kujtojmë se video e kaluar e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje nxiti mjaft shumë reagime pasi që në të shpërfaqeshin ish-liderë të Kosovës, përfshirë këtu edhe disa nga ish-krerët e UÇK-së, të cilët tash e dy vite gjenden në Hagë duke u gjykuar nga Gjykata Speciale. 

Të ngjashme