Isa Mustafa thotë se diskursi i Kurtit dhe Osmanit u konsumua, sulmon edhe Abdixhikun

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në sytë e Isa Mustafës, po del se kanë hequr dorë prej shumë parimeve të tyre.

Andaj, dikur ish-kryeministri i Kosovës, ka dyshime edhe në mbajtjen e zotimeve që dyshja i dha lidhur me procesin e dialogut karshi Serbisë.

Mustafa tha se ekzekutivi i ri dhe institucionet tjera me peshë në vend, duket sikur nuk e kanë idenë se si duhet vepruar në raport me dialogun.

“Qeveria deri më tani nuk ka prezantuar idenë e saj për dialogun. Këtë nuk e ka bërë asnjë institucion aktual i Kosovës. Ekziston përshtypja se këto institucione nuk kanë ide se çfarë duhet dhe çfarë do të bëjnë me dialogun”, u shpreh ai për Front Online.

Këto deklarata të tij vijnë pak kohë para se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë pritet të rifillojnë nga mesi i qershorit.

E po ashtu vetëm pak ditë para se në Kosovë të arrijnë për vizitë zyrtare emisari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer.

Mustafa thotë se të dy këta aleatë po kërkojnë dialog me kompromis nga të dyja palët, andaj kërkon nga Kurti e Osmani, që ta bëjnë të ditur qëndrimin e tyre se për çfarë kompromisi janë të gatshëm.

“SHBA dhe BE shprehen për dialog me kompromis nga të dy palët. Z. Kurti dhe znj Osmani duhet ta njoftojnë Kuvendin dhe qytetarët se çfarë është gatishmëria e tyre për kompromis. Diskursi politik opozitar i tyre është konsumuar”, u shpreh Mustafa.

Ish-kreu i LDK-së “thumba” pati edhe për partitë opozitare, pa përjashtuar asnjë.

Ato vlerëson se nuk duhet të shndërrohen në këshilltare të pozitës, gjë që sipas tij, po ndodh.

“Kështu e dëmtojnë vetëveten dhe vendin. Dhe kështu nuk po përngjan në asgjë serioze. Dialogu duhet domosdo të ketë opozitë. Jo opozitë që e kundërshton dialogun por opizitë që nuk lejon të kalojë një marrëveshje e cila nuk është në interes të qytetarëvedhe të shtetit tonë”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme