Ka ditë që po diskutohet rreth qëndrimit të palës kosovare në Bruksel, të drejtuar nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, lidhur me hapjen e arkivave të Kosovës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Shumëkush nga opozita e ka konsideruar si hap të gabuar të Kosovës në negociata, derisa kryeministri Kurti ka thënë se arkivat duhet hapur dhe se Kosova nuk ka asgjë për të fshehur.
Megjithatë ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kreu i LDK’së, Isa Mustafa, po e sheh si të gabueshëm qëndrimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për punën e arkivave.
“Mendoj se është zotim i pabazuar, rrjedhimisht edhe i gabueshëm. Serbia deri në çlirimin e Kosovës ka qenë shtet në Serbi dhe në Kosovë. Ajo ka arkivat shtetërore se çfarë ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë Mustafa për Express
Isa Mustafa tutje potencon se zotimi për hapjen e arkivave të UÇK’së është rënie në grackën e Beogradit dhe barazim me Serbinë.
“Pas lufte mund të jenë lëndët arkivore të UNMIK-ut, Eulex-it dhe të institucioneve të drejtësisë e sigurisë. Por të zotohesh për arkiva të UÇK-së dhe hapjen e tyre është rënie në grackën e Serbisë, që të barazohesh me të”, ka deklaruar ai.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ditë më parë ka deklaruar se Serbia është pajtuar për hapjen e arkivave dhe rrjedhimisht edhe arkivave të Kosovës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Bislimi ka thënë se sipas mendimit të tij kjo është pozitive për Kosovën.
“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”,kishte deklaruar Besnik Bislimi pas kthimit nga Brukseli.
Kjo deklaratë e Bislimit ka nxitur reagime të mëdha, derisa në mbrojtje i ka dalë shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, duke thë se “s’kemi çfarë të fshehim“
“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serb por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, ka deklaruar Kurti.