Kandidati për kryetar të komunës së Drenasit, nga radhët e NISMA për Kosovën, Isa Xhemajlaj, ka vazhduar të takohet me shumë qytetarë të komunës së Drenasit dhe me bizneset në këtë komunë.
Sipas njoftimit të NISMA-s, në mbështetje të Isa Xhemajlajt nëpër këto takime kanë qenë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi dhe kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, deputeti Enver Hoti, dhe anëtarë të kryesisë së NISMA’s.
“Xhemajlaj, në vazhdën e takimeve me qytetarët e komunës së Drenasit, ka takuar banorët e fshatit Fushticë e Epërme dhe banorët e fshatit Çikatovë e Re, me të cilët ka bashkëbiseduar për problemet me të cilat ballafaqohen banorët e këtyre fshatrave në jetën e tyre të përditshme, dhe për mungesën e kujdesit nga institucionet lokale për të investuar në përmirësimin e jetës në fshat”, thuhet në komunikatë.
Kandidati për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj, po ashtu ka takuar edhe disa nga bizneset në komunën e Drenasit, me të cilët ka folur për problemet që ato kanë dhe për barrierat që u bëhen atyre në funksionimin e bizneseve të tyre.
“Xhemajlaj si çdo ditë ka vazhduar të pres në zyrat e tij edhe shumë të rinj të komunës së Drenasit, me të cilët ka folur për problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë të rinjtë e Drenasit. Mbështetja për Isa Xhemajlaj, për kryetar të komunës së Drenasit është duke u rritur dita ditës, për faktin se qytetarët po shohin shpresë tek ai për ndryshimin e shumëpritur në Drenas”, përfundon komunikata.