Ish-diplomatja amerikane që ka shërbyer në Ballkan, Molly Montgomery, ka thënë se Përfaqësuesi Special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi ka ushtruar një presion të jashtëzakonshëm mbi qeverinë e drejtuar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Grenelli vendosi trysni të jashtëzakonshme mbi qeverinë e Kosovës”, ka thënë Motgomery teksa ka folur për NPR.
Ajo tutje ka thënë se duket që Grenell ka hequr dorë nga politika tradicionale e SHBA-së si aleati kryesor i Kosovës.
“Grenelli duket se ka hequr dorë nga roli tradicional i Shteteve të Bashkuara si përkrahëset kryesore të Kosovës”, ka shtuar tutje ajo.
Për NPR, ka folur edhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Agon Maliqi.
Maliqi ka thënë se në Kosovë janë ngritur shumë pikëpyetje rreth asaj se si administrata aktuale e Trumpit është duke trajtuar aleatët.
Por, sipas këtij të fundit një presion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i mirëseardhur, duke parë rritjen e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan.
“Konteksti global po ndryshon. Kina dhe Rusia janë edhe më të fuqishme, kështu që një presion pak më i madh nga SHBA-ja është i mirëseardhur”, ka thënë Maliqi për NPR News.
Aktualisht në Kosovë është vendosur një ekzekutiv i ri që do të drejtohet nga Avdullah Hoti i LDK-së. Gjithë këto zhvillime kanë ardhur pas përplasjes së Kurtit me Përfaqësuesin Special e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi. Një komunikim të tillë të institucioneve me SHBA-në e kishin konsideruar të papranueshëm nga LDK-ja, të cilën u larguan nga koalicioni me arsyetimin se nuk qëndrojnë në një qeveri anti-amerikane.
Ndërkohë Richard Grenell ka dhënë dorëheqje edhe nga posti i ambasadorit amerikan në Gjermani, duke mbetur vetëm Përfaqësues Special për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai tashmë është vendosur në oborrin e Shtëpisë së Bardhë dhe shumë shpejtë priten lëvizjet e tij pas krijimit të Qeverisë së re në Kosovë.