Mesut Ozil së fundmi është nën presionin e shumë sulmeve dhe kritikave si nga tifozët por edhe nga bota e futbollit.
Tanimë edhe ish-fituesi i Kupës së Botës në vitin 1990, Lothar Matthaus, i është shtuar listës së kritikëve të Ozilit.
Matthaus, e fajëson yllin e Arsenalit për “mungesë shpirti” dhe kontributi në kombëtaren gjermane.
Duke shkruar në revistën e mirënjohur “Bild”, Matthaus shprehet se “një apo dy vitet e fundit Ozil ka qenë shumë herë më i dobët, madje në një nivel që nuk e justifikon besimin që i ka dhënë trajneri Loë”.
“Ajo që më bën të zhgënjehem është gjuha negative e trupit që shfaq ai. Duket sikur e kanë marrë me zor në një ndeshje dhe nuk shfaq kënaqësi që luan”, thotë ish-mesfushori i Gjermanisë.
Matthaus e akuzon gjithashtu Ozilin se duket i parehatshëm me fanellën e “panzerave” dhe se i mungon shpirti i garës, apo pasioni që njerëzit presin nga një gjerman, transmeton Albeu.
Ozil, i cili ka luajtur plot 91 ndeshje me Gjermaninë, është përfshirë së fundi në debate të ashpra, për shkak të fotos që ai dhe lojtari i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan, bënë në krah të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
“Ai është i pandërgjegjshëm se çfarë pret populli gjerman nga një lojtar i kombëtares. Pas gabimit në foton me Erdoganin, ai duhej të zotohej ndaj Gjermanisë dhe të hapej me tifozët”, thotë më tej Matthaus, duke lënë të kuptohet se, sipas tij Ozil nuk e kupton sesa shumë irritim ka provokuar ajo foto.” ka përfunduar Matthaus.