Ish- gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka ‘shuar’ shpresën e asamblistëve të Kuvendit të Prizrenit, për kthimin e vitit 1878 në emblemën e Prizrenit.
Ai, thotë se vendimet e Kushtetueses janë të paapelueshme.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të paapelueshme, derisa Republika e Kosovës të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtar, respektivisht të jetë palë pranë Gjykatës së Strasburgut”, tha Kryeziu për “PrizrenPress”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2010, pati hequr vitin 1878 nga emblema e Prizrenit.
Vendimi ishte marrë pas ankesës së ish- zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunal për Komunitete në Komunën e Prizrenit, Qemajl Kurtishi.
Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga Kurtishi, pati vlerësuar se emblema respektivisht neni 7 i Statutit të Komunës së Prizrenit nuk është në përputhje me Kushtetutën, meqë shkelen të drejtat e komuniteteve jo shumicë, dhe kishte kërkuar ndryshimin e saj.
Tetë vjet pas këtij vendimi, Kuvendi i Prizrenit, ka marrë vendim javën e kaluar për kthimin e vitit “1878” në emblemën e Prizrenit.
Kjo çështje është diskutuar të premten në seancën e Kuvendit të Komunës dhe anëtarët e këtij organi janë pajtuar që së pari të krijojnë Komisionin statutar, i cili do të merret me propozimin e ndryshimeve në statutin e Komunës së Prizrenit, përfshirë këtu emblemën e Komunës.
Gjatë këtyre diskutimeve është vënë në pah fakti se lidhur me emblemën e Komunës së Prizrenit me vitin 1878 ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, porse sipas tyre kjo padrejtësi duhet të korrigjohet.
Para miratimit të rendit të ditës së mbledhjes së KK-së, këshilltarja e “Vakatit”, Memnuna Ajdini, ka vlerësuar se çështja e emblemës së Komunës së Prizrenit është e kryer, madje me një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ka shprehur bindjen se nuk duhet të jetë në rend të ditës.
Këshilltari i PDK-së në Prizren, Shukri Çuni, shprehet i bindur se LSHP-ja nuk është kundër asnjë komuniteti dhe se viti i mbajtjes së saj nuk duhet t’i pengojë askujt.
Çuni ka insistuar që Kuvendi i Prizrenit, duhet të marrë iniciativë për të korrigjuar “gabimin” e Gjykatës Kushtetuese.
“Na duhet me ba kërkesë me e kthye. Logoja ka kuptim me 1878. Ky vit nuk e fyen asnjë komunitet”, tha Çuni.
“Asnjë qytetar i Prizrenit nuk ndihet keq nëse kthehet viti 1878 në logon e Komunës “, tha ai.
Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Artan Abrashi,i cili vjen nga Vetëvendosje, ndërkaq është shprehur i rezervuar në mundësitë për të kthyer vitin 1878 në emblemë, ndonëse ka mbështetur një iniciativë të tillë.
Ai tha se Vetëvendosje në vitin 2010, ka protestuar kundër këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Ish- gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, nuk ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Përgjigjja ime për këtë çështje është personale dhe akademike, duke u mbështetur në përgatitjen time intelektual dhe profesionale”, tha Kryeziu për “PrizrenPress”.
Sipas tij, Komuna e Prizrenit nuk është palë e autorizuar në këtë çështje, pasi për çështjen e komuniteteve është i autorizuar vetëm zëvendëskryesuesi i Komunës nga radhët e komuniteteve.
“Në bazë të Nenit 113, pika 4, Komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e Komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt”.
Kryeziu thotë se vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme.
“Në bazë të Nenit 116 pika 1 vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.