Ish-inspektori i AKI-së: Mundësitë e destabilizimit të Ballkanit nga Serbia janë të mëdha

Prishtinë | 22 Dhj 2023 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë para gazetarëve në Bruksel se “Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës”.

Ndërsa në fjalimin e fundvitit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ruajtja e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.

Ramadani: Serbia mund të nxisë situatë të rrezikshme në Bosnjë, në logjikën e aneksimit

Mundësinë për destabilizim në Ballkan, nuk e përjashton ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani.

Ai në një përgjigje për Front Online ka thënë që gjasat janë të mëdha që Serbia të bëjë veprime ndaj fqinjëve.

“Mundësitë e destabilizimit të Ballkanit nga ana e Serbisë janë të mëdha, për shkak të qëllimeve që ajo pretendon ndaj vendeve fqinje”, tha ai për Front Online.

Përveç Kosovës e Malit të Zi, ai thotë që Serbia mund të nxisë “aneksim” në Bosnje.

“Edhe ndaj Kosovës, por edhe ndaj Bosnjës dhe ndaj Malit të Zi. Nuk mund të përjashtohet mundësia që Serbia të nxis situatë të rrezikshme të sigurisë në Bosnje, në logjikën e aneksimit apo të ngjashme”, tha ai.

Ramadani: Prezenca e NATO-s pamundëson agresion klasik ushtarak të Serbisë në Kosovë

Gjenerali gjerman i NATO-s, Ralf Hammerstein, ka paralajmëruar se më shumë ushtarë do të nevojiten në të ardhmen në Kosovë për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin, pasi sipas tij, situata në Ballkanin Perëndimor vazhdojë të jetë e brishtë.

Këtë e ka komentuar edhe ish-Inspektori i AKI-së, Burim Ramadani.

Ai për Front Online ka thënë që prezenca e NATO-s në Kosovë, parandalon agresionin serb.

Megjithatë, sipas tij kjo është edhe arsyeja që Serbia po financon grupe kriminale.

“Në ndërkohë, në raport në Kosovën, është e qartë se prezenca e shtuar e ushtarëve të NATOs pamundëson agresion klasik ushtarak të Serbisë. Prandaj, Serbia dhe strukturat e sigurisë së atjeshme po përdorin dhe sponsorizojnë grupe të armatosura paramilitare”, u shpreh ai për Front Online.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Të ngjashme