Ish-xhudistja e njohur japoneze, Yuka Nishida, e ka vlerësuar lart xhudisten kosovare Majlinda Kelmendi. Nishida (33) ka fituar titull të botës në vitin 2010 e po ashtu i ka edhe dy medalje të tjera nga kampionatet botërore.
Nishida ka garuar në kategorinë deri 52 kilogramë, ku garon edhe kampionia kosovare, transmeton Koha Ditore.
“Ish-kategoria ime, 52 kg, ka shumë xhudiste të mëdha. Do të veçoja Ai Shishimen, Uta Aben dhe Majlinda Kelmendin. Ato kanë treguar që në mënyrë konsistente mund të performojnë në nivel shumë të lartë. Botërori në Tokio këtë vit do të jetë një ngjarje me shumë rëndësi për Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020′”, ka thënë Nishida në një intervistë për sajtin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
Në të vërtetë ndodh rrallë që xhudistet japoneze të flasin në superlativ për xhudistet evropiane. Në intervista shumë rrallë edhe i përmendin ato.
Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, në fillim të karrierës së saj është përballur dy herë me Nishidan dhe ka pësuar.
Bëhet fjalë për vitet 2011 e 2012, kur Majlinda ende po merrte përvojën e duhur në nivelin senior. Majlinda llogaritet pretendente për medalje në Tokio, në botërorin e këtij viti dhe në Olimpiadën e vitit tjetër.