Ish-këshilltari i Martti Ahtisaarit, Kai Sauer, ka deklaruar se fakti që Kosova nuk është njohur universalisht ka të bëjë edhe me mosanëtarsimin në Kombe të Bashkuara, mungesën e qasjes në disa institucione ndërkombëtare e po ashtu edhe nevojën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Në një intervistë për Klan Kosova, tash në cilësinë e Nënsekretarit të Finlandës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kai Sauer, nuk interpretoi se si është përkufizuar Asociacioni në Pakon e Ahtisaarit, ndërkaq nuk komentoi as qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me këtë çështje.
Sauer tha se dialogu në formën ideale duhet të përfundojë me njohje.
Ai nuk u specifikua se çfarë kompromise hipotetikisht mund të bëjë Kosova në procesin e dialogut, por, sipas tij, bisedimet nënkuptojnë pajtimin e palëve.
Finlandezi nuk komentoi as non-papers ku parashihej shkëmbimi i territoreve, të cilat tha se nuk i ka parë.