Ardian Prenkaj, ish-këshilltar i ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka folur rreth inaugurimit të presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Prenkaj që kishte takuar Biden si zëvendëspresident i SHBA-ve thotë se ishte befasuese se sa shumë informacione kishte për Kosovën.
“Kam pasur nderin që te jem si anëtar i delegacionit të ish-presidentes Jahjaga në disa takime që ka pasur atëherë me nënkryetarin Biden. Ai është një lider që është i lidhur me Kosovën por edhe me Ballkanin”.
“Biden është një lider që është formësuar me politikën amerikane për të ndalur, ndikuar dhe intervenuar gjenocidin në Bosnje dhe Kosovë. Ai të impresiononte me faktin se sa është i njoftuar poltikën në Kosovë dhe rrethanat në Ballkan”.
“Ka pasur momente shumë inspiruese dhe është ndjenjë jashtëzakonshme të jesh pjesë e atyre takimeve – është shumë inspiruese mbështetja që ai i ka ofruar Kosovës edhe si senator”.
Prenkaj tregoi edhe për një premtim që Biden i dha Jahjagës dhe pas disa muajve e realizoi atë.
“Gjatë takimit që presidentja e ka pasur në SHBA ka qenë momenti kur Jahjaga i dorëzon BIden emërimin e rrugës në Sojevë me emrin e djalit të tij – ka qenë moment jashtëzakonisht emocionues.
“Tashmë Presidenti Biden i premtoi presidentes Jahjaga se do të vijë në Kosovë dhe pas dy apo tre muajve erdhi në Kosovë”
Prenkaj foli edhe për fjalimin e Biden gjatë inaugurimit të tij.
“Këto zgjedhje janë organizuar në situatë shumë të jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe sot ceremonia e inaugurimit të Presidentit kaloi nëpër rrethana të papara më herët, nën masa të rrepta të sigurisë”.
“Fjalimi i Biden sot ka pasur për qëllim që të jetë zëri i unifikimit të popullit amerikan dhe adresimit të shumë problemeve dhe sfidave të Amerikës, rikthimit të lidershipit global të Amerikës në botë”, tha Prenkaj.