Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër ministrin e Financave, Hekuran Murati, në Komisionin për Buxhet ku u diskutua lidhur me një kredi nga Banka Botërore, në vlerë të 15 milionë eurove, e që do t’i dërgohet Kuvendit për miratim si Marrëveshje Ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hoti, tha se ministri Murati po lavdërohet për rritje të hyrave e menaxhim të mirë, e në anën tjetër po kërkon kredi për skema sociale.
“Asnjëherë në historinë njëzet e sa vjeçare të shtetit të Kosovës nuk ka ardhur këtu në komision parlamentar një marrëveshje me kërku kredi për skema sociale. Çfarë Qeverie po pretendojmë, çfarë shteti po mendojmë me qenë nëse ne nuk mund t’i paguajmë ndihmat sociale”.
“Çfarë ministri i Financave je ti, kur lëvdohesh publikisht për pozicion të mirë fiskal për shkak të rritjes së të hyrave etj. dhe kërkon 15 milionë euro kredi për ta përmirësuar bilancin bankar”, i ka thënë Hoti-Muratit.
Sipas deputetit Hoti, asnjëherë që nga paslufta nuk ka ndodhur të merret kredi për mbulim të shpenzimeve për paga dhe për skema sociale.
“S’ka pasur asnjëherë asnjë ministër që ka kërkuar kredi për me i mbulu pagat e ti po i kërkon”, ka thënë Hoti.
Komision për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar të mërkurën tri marrëveshje ndërkombëtare.
Dy prej të cilave kanë të bëjnë me marrjen e një kredie për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës në vlerë prej mbi 30 milionë euro.
Ndërsa marrëveshja për reforimin e ndihmës social, është rikthyer për miratim pasi u rrëzua muaj më parë në Kuvend.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se kjo kredi 47 milionëshe ka për qëllim reformimin e skemave sociale.