Ish-kryeministri i Italisë në kohën e luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-së, Massimo D’Alema, ka evokuar një kujtim interesant rreth Ibrahim Rugovës, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Fondacioni “Ibrahim Rugova” në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ish-kryeministri italian ka thënë se shqetësimi kryesor i ish-presidentit Bill Klinton ishte se Rugova mund të fliste kundër bombardimeve të NATO-së.
“Shqetësimi i Klintonit ishte se pacifisti Ibrahim Rugova mund të fliste kundër bombardimeve të NATO-së. Më pas, nga një konferencë në Romë, Rugova falënderoi NATO-në që mbrojti popullin e tij, e kujtoj Klintonin që i thash, Bill duhet ta falënderosh Rugovën sepse unë nuk bëra asgjë për ta bindur atë”, tha ai.
“Jam i nderuar të jem këtu, në Prishtinë, të flas në këtë ngjarje në përkujtim të Ibrahim Rugovës. Jam i nderuar të kujtoj këtë luftëtar dhe intelektual, me të cilin kisha mundësinë të diskutoja për vendin e tij. Ishte një moment i vështirë, kohë e vështirë në konflikt. Bombardimet e NATO-së kishin filluar, por nuk kishte shenja që Serbia do të dorëzohej dhe do t’i tërheqtë trupat e do ta lejonte paqen në Kosovë. Në Uashington, në një takim, mundësia e intervenimit të NATO-s ishte rritur”, tha ai.