Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa së bashku me 38 të akuzuarit tjerë, do të kthehen sërish në bankën e të akuzuarve për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, vendim ky i marrë nga Gjykata e Apelit.
“Aprovohet ankesa e PSRK-së dhe aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë-Departamenti për Krime të Rënda, i datës 25.07.2017 ndryshohet dhe çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë që të vazhdojë me shqyrtimin fillestar”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë aktvendim thuhet se Gjykata e Apelit vlerëson se në këtë çështje penale Gjykata Themelore në Pejë duhet ta caktojë shqyrtimin fillestar, të dytin sipas nevojës dhe shqyrtimin gjyqësor, ku duhet t’i marrë parasysh të gjitha veprimet e palëve në procedurë, t’i vlerësoj ato dhe pavarësisht prej stadeve të procedurës të marrë vendim të drejtë dhe të ligjshëm.
Ndryshe, në aktvendimin P.nr.227/2016, të nënshkruar nga gjyqtari Sylë Lokaj, thuhet se hudhet si e parregullt aktakuza Prokurorisë Speciale te Republikës së Kosovës, ndaj gjithë të akuzuarve për pikat e aktakuzës I, II, III, IV, V, VI, VII, VIU, X, XI, XII, XIV, XV, XVI, XVII, XVIII, ndërkaq, kanë mbetur në fuqi pikat IX dhe XIII të aktakuzës.
Më 22 maj 2017, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar për këtë rast. Atë ditë, gjyqtari Sylë Lokaj, kishte konfirmuar se më 11 maj të këtij viti, gjykata i kishte kthyer aktakuzën për plotësim Prokurorisë Speciale. “Në rast se nuk përfillet dhe nuk evitohen mangësitë e kërkuara, gjykata ka gjasë t’a hedhë poshtë aktakuzën ndaj 39 të pandehurve’ kishte deklaruar gjyqtari Lokaj.
PSRK-ja me 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemail Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qfsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazim Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Sipas aktakuzës zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.
Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.