Ish-mbreti i Spanjës Juan Carlos gjendet në Emiratet e Bashkuara Arabe

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 21:14 | Nga Ekonomia Online

Ish-mbreti i Spanjës Juan Carlos, i cili iku nga Spanja nën hijen e një skandali, po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga 3 gushti, ka thënë një zëdhënës i shtëpisë mbretërore të hënën, duke i dhënë fund kështu hamendjeve të ndryshme se ku gjendet 82-vjeçari.

Juan Carlos ka thënë më 3 gusht se po e braktiste Spanjën pasi që dolën në pah disa aspekte kontroverse të jetës së tij private, por nuk zbuloi se ku po shkonte.

“Mbreti Juan Carlos i ka thënë shtëpisë mbretërore se ka shkuar në Emirate më 3 gusht dhe se do të qëndrojë atje tani”, tha zëdhënësi.

Mbreti që ishte dikur shumë i famshëm në mesin e popullit, zbriti nga froni në favor të të birit të tij Felipe në vitin 2014, pas një rasti të shmangies së taksave ku u përfshinë anëtarë të familjes mbretërore, si dhe skandalit të një udhëtimi gjahu me elefantë në kohën kur Spanja po kalonte nëpër krizë ekonomike.

Pasi që e la fronin, ai u largua nga jeta publike, por vazhdoi me skandale, të cilat kulmuan me vendimin e Gjyqit Suprem të Spanjës në qershor që të hapet rast ndaj tij për përfshirjen në një kontrate për hekurudhë të trenave të shpejtë në Arabinë Saudite.

Gazeta Zvicerane “La Tribune de Geneve” raportoi se Juan Carlos kishte marrë 100 milionë dollarë nga Mbreti i ndjerë saudit. Edhe Zvicra ka hapur hetime mbi këtë rast.

Të ngjashme