Ish-ministri i Shëndetësisë e përkrah idenë e Kurtit për mjekët edhe pse e konsideron të vonshme

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 12:08 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ideja e kandidatit për kryeministër nga VV-ja, Albin Kurti për ndalimin e mjekëve për të punuar në dy sektorët është e vonuar dhe e konsumuar, po konsideron ish-ministri i Shëndetësisë (MSh), Ferid Agani.

Agani në një intervistë për Ekonomia Online deklaroi se mjekët kanë të drejtë të punojnë edhe në sektorin publik dhe atë privat sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2013.

“Kjo është ide e cila është konsumuar në mënyrë të plotë si në aspektin politik ashtu edhe ligjor qysh në vitet 2012-2013. Ishte iniciative e imja e cila është zbatuar në formë të dispozitës ligjore në ligjin për shëndetësi i cili për fat të keq pas miratimit në Kuvendin e Kosovës u dërgua në Gjykatën Kushtetuese me ankesën e një grupi deputetëve të cilët e kontestuan këtë ndalesë”.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim se mjekët kanë të drejtë që të punojnë edhe në sektorin publik dhe privat. Kjo bëri që ketë dispozitë ligjore të hiqet nga Ligjet për Shëndetësi, i cili në vitin 2013 hyri në fuqi”, tha ai.

Agani rikujtoi iniciativën e njëjtë të cilën e kishte bërë në kohën kur kishte qenë ministër, e cila është ndërpre nga Gjykata Kushtetuese me ankesën e një grupi deputetësh.

Ai tha se iniciativa kishte për qëllim parandalimin e korrupsionit në institucionet publike shëndetësore si dhe lirimin e vendeve të punës për mjekët e rinj.

“Kjo ndarje ka qenë e nevojshme qysh atëherë. Ka qenë një metodë e mirë për të arritur dy qëllime, parandalimin e korrupsionit në institucionet publike shëndetësore, sepse punësimi i njëkohshme në të dy institucionet e ka edukua në mënyrë të dokumentuar dhe ka arritur këtë shkallë të korrupsionit. Një farë mënyrë pacientet kanë qenë të keqpërdorur nga disa prej kolegeve të papërgjegjshëm. Kjo natyrisht ka rrënuar dukshëm besimin e qytetarëve në sistemin publik shëndetësore”.

“Në anën tjetër me këtë ndalesë kemi synuar të lirojmë vende të punës për mjekët e rinj dhe specialistë të rinj të cilët më pastaj do të krijonin karrierën e tyre profesionale në institucionet publike shëndetësore, ndërsa mjekët më përvojë të cilët synojnë që të përmirësojnë gjendjen e tyre financiare e materiale do të punonin në sektorin publik paralel. Por për fat të keq kjo iniciativë në vitin 2013 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese u ndërpre”, ka thënë Agani për EO.

Agani deklaroi se kjo iniciativë mund të realizohet në mënyrë indirekte pa ndalesa formale vetëm në rast se aktivizohet fondi i sigurimeve shëndetësore si dhe zhvillimi i reformës së sistemit shëndetësor.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë shumë i qartë, e drejta e mjekëve që të punojnë në dy sektorët është e lejuar në mënyrë të plotë në bazë të ligjeve. Por, vet synimi dhe politika për të bërë të pamundur punësimin e njëkohshme në të dy llojet e institucioneve shëndetësore është e drejtë. Kjo mund të realizohet tash në mënyrë tjetër”.

“Fillimisht duhet aktivizuar në mënyrë të plotë fondi i sigurimeve shëndetësore i cili më pastaj me lidhjen e kontratës me institucionet private shëndetësore do të parashihte në kontrata edhe dispozitën sepse përparësi në rastin e aplikimit për të lidhur kontrata do të kenë institucionet private shëndetësore të cilat nuk kanë të punësuar profesionit në sistemin publik të shëndetësisë. Në këtë mënyrë indirekte do të arrihej qëllimi”.

“Kjo ide nuk mund të realizohet në mënyre automatike, për shkak të vendimit të gjykatës kushtetuese, por me zhvillimin e reformës së sistemit shëndetësor e cila është ndërpre, me aktivizimin e plotë të fondit të sigurimeve shëndetësore është e mundur që të realizohet në praktikë dhe të arrihet qëllimi edhe pa ndalesë formale”, u shpreh Agani.

Kurti ka deklaruar se me fillimin e punës së Qeverisë së tij do të marrë vendim që mjekët të mos punojnë në dy sektorë, por duhet që të zgjedhin publikun ose privatin.

Të ngjashme