Ish- ministria e i Diasporës, Valon Murati njëherësh kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka thënë se pandemia e Coronavirusit, pohimet për integritetin e Veriut i shndërroi në përralla propagandistike.
“Pas vitit 2008, asgjë më shumë se kjo kohë pandemie nuk ka dëshmuar gjendjen reale të kontrollit të pushtetit dhe sovranitetit praktik në pjesën veriore të Kosovës. Serbia dhe masat e ndërmarra prej saj janë ato që zbatohen edhe atje, përderisa pushteti jonë është gati inekzistent. Në territorin e Kosovës me rekomandime të institucioneve të Serbisë vendosen qytete të tëra në karantinë. Përrallat e integrimit të veriut, më nuk mund t’i blej askush. Komunat serbe në veri janë integruar aq sa i ka interesuar Serbisë dhe aq sa kurdo që të dojë ajo ta destabilizojë Kosovën përmes tyre”, ka shkruar Murati.
Ai tha se kjo situatë tregon nevojën urgjente të zgjidhjes së problemit me Serbinë përmes dialogut.
“Të shpresojmë më të mirën për qytetarët e asaj pjesë si për të gjithë qytetarët e botës në këtë betejë kundër Covid-19, por kjo situatë edhe njëherë dëshmon për nevojën urgjente të zgjidhjes së problemeve me Serbinë përmes dialogut. Përndryshe ajo po krijon realitete të reja, dhe atë deri tek ura e Ibrit të cilat do të kenë pasoja afatgjata. Sidoqoftë, #rrinShpi e mos dil pa nevojë”, ka shkuar ai.