Ish-ministrja i reagon Gërvallës për lejen që ia dha Petkoviqit

Prishtinë | 24 Pri 2021 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, i ka reaguar ministres aktuale të kësaj dikasteri, Donika Gërvalla-Schwarz, pasi kjo e fundit i dha leje shefit të zyrës së ashtuquajtur serbe për Kosovën, Petar Petkoviqit.

Haradinaj-Stublla, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se ministrja Gërvalla-Schwarz i ka dhënë leje për tri ditë Petkoviqit, në kohën kur qeveria e Serbisë ndan para për strukturat paralele serbe në Kosovë.

“Dhënia e lejes për vizitë në Mitrovicë e në Deçan, me shpresë për respektim të marrëveshjeve të Brukselit – dikujt që sa herë ka ardhë ka shkelur ato, ka shpërndarë gënjeshtra historike e politike kundër nesh, ka mohuar krimet e Millosheviqit, ka mohuar ekzistencën e Republikës së Kosovës, ka keqpërdorë për qëllime politike Manastirin e Deçanit dhe vazhdon të mbajë ilegalisht në burg në Serbi dy qytetarë të Kosovës, është njejtë sikur ta ushqesh ujkun me shpresë se nuk do të të kafshojë”, deklaroi ajo.

“Për më keq, leja për vizitë i ipet Petkoviqit vetëm 3 ditë pasi që qeveria e Serbisë ndan 4 miliardë dinarë për dhënie të ndihmave monetare, ndërtimin e shtëpive, spitaleve, çerdheve, e shkollave në Kosovë në mirëmbajtjen e strukturave paralele të Serbisë, 13 prej të cilave i përuroi edhe sot për qytetarët serb siç i quan ai ‘të rrezikuar’ – dhe si rëndom edhe sot shkeli frymën dhe zotimet e marrëveshjeve të Brukselit”, shtoi tutje Haradinaj-Stublla.

Përgjatë ditës së sotme, kryediplomatja kosovare në një prononcim për Gazetën Express tha se presin nga Petkoviq t’i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit përndryshe do të ndërmerren masa. E njëjta tha se nuk ishte në dijeni që ky i fundit po dorëzonte çelësa të 12 banesave në Mitrovicën Veriore.

“Atij i është dhënë leja për të hyrë në Kosovë, por këtë informacion që ka dorëzuar çelësat e 12 banesave në Mitrovicën e Veriut, po e kuptoj tani, por leja i është dhënë dje me kusht që ai t’i përmbahet marrëveshjes së Brukselit. Ky është problemi me ta, njeriu mundohet me ta me qenë korrekt, konform marrëveshjeve që janë bërë para shumë vitesh dhe nga pala tjetër shihet veç elementi i provokimit. Ne presim që Petkoviq t’i përmbahet marrëveshjes, përndryshe duhet me pa çfarë masash mund të marrim”, tha e njëjta në prononcim.

Sot në mëngjes Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka dorëzuar çelësat e 12 banesave në Mitrovicën e Veriut, donacion nga Serbia.

Petkoviq ka thënë se ndërtimi i banesave në Mitrovicën e Veriut është indikatori më i mirë se sa shumë Serbia investon për serbët në Kosovë.

Të ngjashme