Një vajzë 3-vjeç e katër muaj, e cila sipas gjyshërve të saj ka jetuar me ta që kur ishte 5 javëshe, tani po kërkohet nga nëna e saj bilogjike. I ati i vajzës ka vdekur, ndërsa ish-nusja i ka hedhur në gjyq ish-vjehrrit, këta të fundit kanë ushtruar kundër-padi ndaj saj, pasi pohojnë se nëna e 3-vjeçares e kishte braktisur vajzën e saj dhe duan që fëmija të rritet me ta derisa të aftësohet për të vendosur vetë se me kë dëshiron të jetojë. Por, ish-nusja e thotë të kundërtën, sipas saj ajo ishte dëbuar nga shtëpia. Posedon aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit përmes së cilit nënës së vajzës i aprovohet kërkesa për kujdestarinë e vajzës.
Aktgjykimi në fjalë është përpiluar më datë 05.01.2022, mirëpo palët kanë të drejtën e ankesës brenda afatit ligjor prej 15 ditësh. Aktualisht vajza ndodhet te gjyshërit e saj dhe të njëjtit janë të obliguar t’ia lejojnë kontaktin me vajzën ish-nusës, ashtu siç është përcaktuar nga gjyqtari.
Evo kako pametni čiste svoje krvne sudove i zašto bi trebao i ti!
Nusja me inicialet F.D., nga Fushë Kosova, ka ushtruar padi ndaj ish-vjehrrive të saj H.H., dhe H.H., duke kërkuar besimin dhe kujdesin ndaj fëmijës së saj, ku nga vendimi i shkallës së I-rë të Gjykatës i është aprovuar, por edhe palët e paditura (ish-vjehrria) kanë paraqitur padi ndaj ish-nuses dhe në të njëjtën kohë kërkojnë që fëmiu të ju besohet në ruajtje, edukim dhe mbrojtje, kërkesë kjo që u është refuzuar.
“Aprovohet pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia e paditësës- kundër të paditurës F.D., dhe fëmiju i lindur më 5.10.2018 në Prishtinë, i besohet në ruajtje kujdes dhe edukim të ëmës F.D., përkatësisht këtu paditësës- kundër të paditurës dhe obligohen të paditurit t’ia dorëzojnë të ëmës së saj F.D., të gjitha këto brenda afatit 15 ditor nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Ndërsa, kërkesa e F.D., për marrjen e 300 eurove çdo muaj nga ish-vjehrritë e saj për shpenzime të vajzës është refuzuar.
F.D., është detyruar që ish-vjehrrive kontaktin me fëmijën t’ua mundësojë çdo të mërkurë duke filluar nga ora 15:30 deri në orën 19:00, ku dorëzimi dhe pranimi i fëmijut të mitur bëhet në Qendrën për Punë Sociale.
Por, çfarë kanë cekur palët në paditë e ushtruara kundër njëri-tjetrit?
“Ish-nusja, F.D., në padi e ka cekur se kishte bashkëjetuar me ish partnerin e saj, nga e cila bashkësi ka lindur vajza, e cila tani është 3-vjeçe. Kjo bashkësi ishte prishur në kohën kur e mitura i kishte 5 javë, pasi që nëna e vajzës ishte detyruar të largohet nga shtëpia e saj fëmija kishte mbetur me të atin e saj. Në padi është theksuar se i ati i fëmijës kishte vdekur dhe vajza kishte vazhduar të jetoj me gjyshërit e saj dhe nënës nuk i mundësohet as kontakti me të njëjtën”, theksohet në aktgjykim.
Por, në padinë e tyre, gjyshërit kanë kërkuar që vajza t’u besohet atyre, sipas tyre pretendimet e ish-nuses se ajo është detyruar të largohej nga shtëpia janë të pavërteta. Ata deklarojnë se e njëjta me vetëdëshirë e kishte lëshuar shtëpinë dhe e kishte lënë vajzën vetëm 5 javëshe, duke refuzuar ta ushqente me qumështin e saj. Sipas tyre kërkesa e ish-nusës për pagimin e alimentacionit prej 300 euro është përfitimi material dhe jo interesi i fëmijës.
Tutje, ish-nusja, F.D., ka deklaruar se me të ndjerin ka pasur probleme edhe para se të ndaheshin përfundimisht, “ku ajo është dëbuar pa dëshirën e saj, nga shtëpia e bashkëshortit dhe vajza kishte mbetur të jetonte me të atin dhe familjen e tij. Ajo pohon se është shumë e gatshme të kujdeset për vajzën e saj dhe deklaron se dita më e lumtur e jetës është kur ka kontakt me të”.
Ish-vjehrri i gruas nga Fushë Kosova: Vajza heziton të takohet me të ëmën
“Ish-vjehrri i saj ka deklaruar se vajza është braktisur nga nëna e saj kur ishte 5 javëshe dhe nga ajo kohë për të kujdeset gjyshi dhe gjyshja e saj. Sipas tij, mbesës së tyre nuk i mungon asgjë, duke theksuar se lidhja emocionale mes tyre dhe vajzës është shumë e fortë. Ai ka deklaruar se vajza duhet të qëndrojë me gjyshërit derisa derisa të bëhet vetë e vetëdijshme dhe të vendos se ku dëshiron të jetojë.
Sipas tij, vajza heziton të takohet me të ëmën.
Sipas ish-vjehrrës H.H., ish-nusja, kur vajza ka qenë dy apo tri javë kur kishte qajtur natën i kishte thënë me zë të lartë “mshele gojën”.
“Ajo ka deklaruar se kujdeset për vajzën, dhe kur është e sëmurë ia mban dorën dhe nu kia lëshon, dhe se është në gjendje të mos flejë tërë natën vetëm të kujdeset për mbesën e saj. Sipas saj, pa prezencën e saj, vajzën nuk e zë gjumi, nuk e hanë ushqimin dhe është në gjendje me ia zëvenësu ushqimin 2,3,4 herë nëse vajzës nuk i pëlqën. Sipas saj, 3-vjeçarja si babë dhe nënë i njëh gjyshërit e saj, sepse ashtu i ka quajtur prej kur ka filluar të flasë”.
F.D., ka thënë për Gazetën Express se kujdestarinë e vajzës do ta kërkojë deri në fund, madje thotë se këtë çështje e ka dërguar edhe në Ministrinë e Drejtësisë. Gjithashtu ka thënë se sot e ka raportuar rastin edhe në polici, këta të fundit nuk e kanë konfirmuar rastin akoma.
Ndërkaq, ish-vjehrri H.H., ka deklaruar se vajza ka probleme shëndetësore dhe nëna e saj e ka “bllokuar” duke mos nënshkruar që 3-vjeçarja të dërgohet për shërim jashtë vendit.
Ai tha se ish-reja tashmë “po e rrezikon edhe jetën e mbesës së tij”.