Ish-presidenti i rajonit spanjoll të Katalonjës, Carles Puigdemont ka kritikuar këtë të premte vendimin e qeverisë së Pedro Sanchezit të Spanjës për të njohur shtetin palestinez.
Puigdemont, i cili gjatë fushatës zgjedhore katalanase heshti për krizën e Gazës, tani vë në pikëpyetje vendimin e qeverisë spanjolle, duke kujtuar se Spanja nuk e ka njohur Kosovën dhe qeveria e Sanchezit ka injoruar saharasit (banorët e Saharës Perëndimore, që për 89 vjet ka qenë koloni e Spanjës), raporton media spanjolle “El Independiente“.
Ai kritikon “standardin e dyfishtë” të Sanchezit sepse “populli i Katalonjës” ka “të njëjtën të drejtë për vetëvendosje si populli i Palestinës”.
Në një video të postuar në profilin e tij në X, Puigdemont thekson se qeveria spanjolle njofton “në mes të një konflikti të armatosur që po trondit botën” dhe “mund të duket se shteti spanjoll është bërë tani një mbrojtës i së drejtës së vetëvendosjes së popujve si mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve”.
Një qëndrim që “shumica e katalanasve e kanë mbrojtur gjithmonë”, thotë lideri pro-pavarësisë së Katalonjës. Por nuk është kështu, shton Puigdemont, duke kujtuar se Spanja “është një nga vendet e pakta evropiane” që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. “Nuk ia njeh të drejtën evropianëve të Kosovës që të vendosin lirisht për të ardhmen e tyre, pavarësisht se Bashkimi Evropian tashmë ka marrëdhënie diplomatike me ta”, thotë Puigdemont.
Spanja, tha ai, “është mbi të gjitha shteti që shtypi katalanasit për referendumin e 1 tetorit” të vitit 2017.
Për Puigdemont, “populli i Palestinës ka të drejtën e vetëvendosjes si populli i Katalonjës” dhe me vendimin e saj, qeveria e Spanjës vendos një “standard të dyfishtë” që “dobëson” demokracitë evropiane “kur e praktikojnë atë jashtë vendit dhe nuk e praktikojnë atë në shtëpi”.
Aktualisht, Puigdemont jeton në ekzil në Belgjikë pasi kërkohet nga drejtësia spanjolle për organizimin e referendumit për pavarësi në vitin 2017.