Ish-punëtorët e ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku” kanë protestuar para Prokurorit të Shtetit për 20 përqindëshin që nuk u është ndarë nga asetet e “Ramiz Sadikut”.
“Ne jemi të gatshëm që para Prokurorisë dhe Gjykatës të dëshmojmë se si Sindikata e ‘Ramiz Sadikut’ është korruptuar me shuma të ndryshme të parave për të futur në lista njerëz që nuk kanë punuar asnjëherë në ndërrmarrjen tonë”, tha Zhinipotoku.
Zhinipotoku tha se kërkesa iu është drejtuar disa herë Prokurorisë për këtë çështje, por ajo nuk ka vepruar duke mbyllur hetimet me arsyetime se nuk ka prova, raporton Ekonomia Online.
“Ju lutem hetoni ato lista dhe do të përputhen me të gjitha dëshmitë tona se në ato lista ka njerëz që kanë vdekur dhe familja e tyre e ka marrë 20 përqindëshin. Ka njerëz që kanë qenë në pension dhe kanë marrë 20%”.
“Lusim Prokurorinë e shtetit që të ndërmarrë hetime të shpejta dhe të drejta në drejtim të gjetjes së të vërtetës dhe sjelljes para drejtësisë të të gjithë manipulatorëve dhe të korruptuarve në rastin tonë”, tha Zhinipotoku.
Zhinipotoku shtoi se kjo protestë është protestë për të drejtat e tyre.
“Ne kemi shfaqur gatishmëri për bashkëpunim me prokurorinë për hetimin e rastit”, tha ai.
Përfaqësuesi i grupit të 480 ish-punëtorëve, Demir Maliqi, pas takimit te Prokurori i Shtetit tha se i kanë sqaruar të gjitha kërkesat e ish-punëtorëve dhe se ata i kanë premtuar që lënda e tyre do të shqyrtohet dhe më pas do të marrin përgjigje.
“Na kanë premtuar se të gjitha të drejtat do t’i sqarojnë dhe do të na kthejnë përgjigje sa më shpejt dhe çdo gjë që na kanë vetë i kemi treguar të vërtetën dhe krejt çka na kanë bërë i kemi sqaruar dhe Prokuroria do t’i çojë në Hajvali dhe të gjithë prokurorët do ta shqyrtojnë lëndën tonë dhe kanë me na dhënë përgjigje”, tha Maliqi.
Kjo është protesta e dytë e organizuar nga ish-punëtorët e ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku”, për çështjen e 20 përqindëshit.