Ish-punëtorët e Radio Televizionit të Prishtinës ndihen të mashtruar nga Qeveria e Kosovës. Ata po thonë se kërkesat që i kanë nga viti 2005 nuk u janë plotësuar, megjithë premtimet.
Kryetari i Këshillit Grevist të këtyre punëtorëve, Qemajl Sokoli, tha se kërkojnë kthimin në punë, kompensimi për 9 vitet e shkuara, pranimi i përvojës 18-vjeçare, moslejimi i tjetërsimit të pasurisë së RTP-së dhe zgjidhja e çështjes së punëtorëve me kërkesat sociale.
“Të vetëdijshëm, se për vendet e punës duhet edhe të vdiset, në vitin 2005 e organizuam grevën 11 ditëshe të ‘urisë’ me pesë kërkesa: Kthimin në punë, kompensimi për 9 vitet e shkuara, pranimi i përvojës 18-vjeçare, moslejimi i tjetërsimit të pasurisë së RTP-së dhe zgjidhja e çështjes së punëtorëve me kërkesat sociale. “Pas premtimit të Qeverisë se do të na plotësojnë kërkesat tona, e ndërpremë atë. Por, pafytyrësisht na mashtroi keq”, tha Sokoli, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se për ndihmë po iu drejtohen edhe shteteve të Quintit, por që nuk kanë marrë ende ndonjë përgjigje.
“Që nga viti 2000 jemi në procesin gjyqësor, përfundimin e të cilit po e presim. Si dhe, u jemi drejtuar Prokurorisë së Shtetit, Gjykatës Themelore dhe të Apelit dhe kemi mbajtur disa seanca si dhe po e përgatisim materialin për Gjyqin e Strasburgut”, pohoi Sokoli, raporton Ekonomia Online.
Ai ka akuzuar edhe AKP-në si bashkëpunuese e Qeverisë dhe jo të ish punëtorëve të RTP-së.
“AKP-ja në vend se ta mbrojë pronën tonë, ajo është bërë vegël shkatërruese qeveritare, kundër nesh. Qeveria nuk po na përgjigjet. Na ka mashtru. Kur një Qeveri e mashtron një institucion…prapa Rilindjes janë 8 hektarë që i kanë gllabërua dhe po ndërtojnë ndërtesa. Veterrikun e kanë marrë të tjerët”, shtoi Sokoli.
Kurse, Enver Maloku, ish-redaktor në RTP, pati një porosi për zgjidhjen e situatës së ish-punëtorëve.
“Porosia ime është që ata që kanë mbete nga Radiotelevizioni i Prishtinës, që të punojnë dhe të tjerëve t’iu gjendet forma e kompensimit material për vitet që kanë kalu aty”, tha Maloku.