Eroll Zejnullahu insiston se kalimi te Nitra e Sllovakisë është hap i duhur në karrierën e tij. Por Zejnullahu shpejt synon të kthehet në Gjermani, ku edhe u zhvillua si futbollist.
Zejnullahu 26-vjeçar, të martën e luajti ndeshjen e parë pas gati shtatë muajsh pauzë. Luajti në 45 minutat e pjesës së dytë për Nitran që fitoi ndaj SKF Seredin me rezultatin 2:1, në kuadër të elitës së futbollit të Sllovakisë.
Ish-futbollisti i Kosovës te Nitra u transferua si lojtar i lirë në janar të këtij viti, ndërsa së fundi ishte te skuadra gjermane, Carl Zeiss Jena, klub që tashmë luan në kategorinë e katërt të Gjermanisë.
Me Nitran, mesfushori ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në verën e këtij viti, me synimin për t’u kthyer në Gjermani për kampionatin e ardhshëm. Sa ishte pjesë e Carl Zeiss Jenas, Zejnullahu pësoi një lëndim që e mbajti gjatë jashtë fushës.
“Unë mund të nënshkruaja për një vit e gjysmë, por nuk doja të angazhohesha për kaq shumë kohë, sepse hapi jashtë është diçka e veçantë dhe dua të kthehem herët a vonë në Gjermani. Nga ana tjetër, unë natyrisht jam i vetëdijshëm që në kohë pandemie duhet të bëni hapa të sigurt. Situata në tregun e lojtarëve është shumë e komplikuar për momentin”, ka thënë Zejnullahu në një intervistë dhënë mediumit gjerman “berliner-zeitung.de”.
ka pësuar rënie të madhe në karrierë. Ai me Union Berlinin ka luajtur 68 ndeshje. Në Bundesliga 2 ka arritur shifrën e 79 ndeshjeve, për Union Berlinin dhe Sandhausenin, kurse ka shënuar një gol dhe ka asistuar gjashtë herë. Por kur pritej shpërthimi pësoi rënie në karrierë. Me Jenan ka luajtur në kategorinë e tretë gjermane.
Zejnullahu shpreson ta kthejë formën e tij duke luajtur rregullisht te Nitra, që synon të bëhet një “Ajax i vogël” për Evropën Lindore.
“Është një aventurë e shkurtër, por sidoqoftë mendoj se ky është hapi i duhur për karrierën time. Ne këtu kemi kushtet e mira. Ne kemi stadium të madh dhe mundësi për t’u stërvitur me një infrastrukturë të mirë. Jam i befasuar për të mirë nga e gjithë kjo. Nëse gjërat shkojnë mirë në kampionat, mund të jetë një gjë e mirë për të gjithë që janë bashkuar në këtë projekt”, ka treguar ai.
Zejnullahu ka treguar edhe për përvojën e tij të kaluar me Union Berlinin. Ai thotë se ka kaluar periudhë që nuk do ta harrojë asnjëherë.
“Largimi është i trishtueshëm. Unë u bëra profesionist tek Union Berlini. Kalova shumë mirë, në fakt kisha vetëm përvojë pozitive. Në atë kohë, megjithatë, shpejt kuptova se nuk do të luaja më një rol dhe nuk luajta fare në sezonin promovues në Bundesligë. Dhe, atëherë më duhej të bëj hapin prapa. Unë duhej të shkoja diku ku isha i sigurt se mund të luaja përsëri futboll. Nuk doja të mbetesha në tribuna”, ka thënë Zejnullahu.
Zejnullahu si i ri e nisi karrierën te Tasmania. Luajti edhe për Zehlendorgin, ndërsa u zhvillua si lojtar te Union Berlini. Nga Union Berlini u huazua te Sandhauseni, ndërsa u kthye sërish të luajë për Union Berlinin. Por ai nuk gjeti hapësirë dhe u detyrua të largohet përfundimisht te Carl Zeiss Jena. Edhe te Jena pati telashe.