Ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, ka deklaruar se në vitin 2008 klinika “Medicus”, kishte kërkuar licencë për transplantim të veshkave.
Rrecaj që më parë ka qenë i bashkakuzuar në këtë rast, por që ndaj tij procedura ka përfunduar, e ka dhënë dëshminë të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në rastin e kthyer në rigjykim, në të cilin mjeku Lutfi Dërvishi akuzohet për krim të organizuar e trafikim me qenie njerëzore, ndërsa anesteziologu Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.
Por, sipas tij, në atë kohë ka munguar legjislacioni që e rregullonte këtë fushë në Kosovë.
Për çështjen e rregullimit të legjislacionit që mundëson transplantimin e veshkave, ai ka deklaruar se kishte zhvilluar takime edhe me këshilltarin e atëhershëm të kryeministrit Thaçi, Shaip Muja.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Valeria Belucci, tash dëshmitari Rrecaj ka thënë se me këshilltarin e kryeministrit Thaçi, ishte takuar për të biseduar lidhur me draftimin e legjislacionit që do të lejonte transplantimin e veshkave në Kosovë, pasi që një ligj i tij që e rregullonte këtë fushë ka munguar.
“Shkurtimisht me këshilltarin e kryeministrit, Shaip Muja, nuk e di sa herë jam takuar me të, kemi biseduar për mundësitë për të draftuar legjislacionin”, ka deklaruar Rrecaj.
Në pyetjet e prokurores, nëse ka biseduar Shaip Muja me mjekun Lutfi Dërvishin për mundësinë e licencimit, dëshmitari ka deklaruar se nuk i din detajet, mirëpo, sipas tij, ka mundur të kishte një takim mes tyre.
Rrecaj ka thënë se disa herë ishte takuar me pronarin e “Medicus”, mjekun Lutfi Dervishi, mirëpo sipas tij, në ato takime dhe kontakte nuk kishte diskutuar për çështjen e licencimit.
“Kam takuar një herë ose dy, sa me kujtohet me Dr.Lutfiun. Në atë takim nuk kemi bisedu detaje, kërkesat kanë qenë me shkrim, e di që shkurt kemi kontaktu në telefon, ndoshta një herë a dy për një pacient të një kushëriri që e ka pas nënën në QKUK, por nuk më kujtohet që kemi biseduar diçka për licencim”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në Ministrinë e Shëndetësisë ka punuar që nga fundi i vitit 2003, kurse nga marsi i vitit 2008, ka qenë ushtrues detyre i sekretarit permanent të kësaj ministrie.
Rrecaj gjithashtu gjatë kësaj periudhe ka deklaruar se ka qenë edhe anëtar i bordit për licencimin e institucioneve shëndetësore. “Kam qenë udhëheqës i bordit, kam qenë në atë pozitë deri në tetor kur ka ndodhë rasti “Medicus”, ka thënë ai.
Ky bord, sipas tij, ka filluar të lëshoi licenca në fillim të vitit 2007, pasi që është rregulluar legjislacioni.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, deri në pranverë të vitit 2008, për institucionet private, sipas tij, ishin lëshuar 750 licenca.
Ai ka thënë se aplikimin për licencim klinika “Medicus”, e ka bërë në periudhën prill-maj 2008, për spitalin e kardiokirurgjisë.
Rrecaj ka treguar për licencën që fillimisht i ishte lëshuar klinikës “Medicus”, e që sipas tij, i është lejuar ushtrimi i veprimtarisë për kardiokirurgji dhe kardiologji interne.
I pyetur nëse ka nënshkruar ndonjëherë licencë për këtë klinikë për shërbime të urologjisë, Rrecaj ka mohuar një gjë të tillë.
Dëshmitari ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë udhëheqës i bordit për licencim, nuk i është dhënë asnjë klinike licenca për shërbime urologjike.
Rrecaj ka shtuar tutje se klinika “Medicus”, kishte bërë kërkesë për transplantim të veshkave.
“Kërkesa dhe përgjigja në kërkesë nuk ka të bëj me licencë, besoj që kërkesa ka qenë në formë të shkruar. Unë e kam tregu më herët dallimin e kërkesës dhe aplikimit. Ka pas kërkesë nga klinika ‘Medicus’, për transplantim të veshkave. Kërkesa mund të bëhet me shkrim, nga zyrtarë, qytetarë, OJQ, profesionistë shëndetësorë, ndërsa aplikimi është përmes zyrës së aplikimit, me procedurat e aplikimit sipas ligjit”, ka shtuar ai.
Prokurorja më pas e ka pyetur dëshmitarin se nga kush e ka pranuar kërkesën e “Medicusit”.
“Nuk mund ta di me data, por e di që janë kemby disa kërkesa me shkrim, janë letër këmbimet. Ata kanë dhënë idetë e tyre se janë të gatshëm që të bëjnë transplantimet e veshkave të pacientëve në nevojë. Legjislacioni i atëhershëm nuk ka qenë i arrirë, është bërë një draft, i është dërguar ministrit dhe klinikës ‘Medicus’ në mënyrë që të iniciohet ligji. Edhe nga vet ministri është dërguar një zyrtar ligjor në Bruksel që të merr pjesë në kursin që ofrohet për përpilimin e ligjeve për transplantime që zbatohen në standardet e Bashkimit Evropian. Drafti nuk është miratuar asnjëherë. Draftin mund ta propozojë zyra brenda ministrisë, doktorë, OJQ, por procedura ka qenë ndryshe. Ministri ka pasur të themeloi një komision dhe ai komision ta kryej punën, të dërgohet në qeveri. Zyra ligjore e kryeministrit nëse do ta kishte aprovuar do ta paraqiste në mbledhjen e ministrave edhe më pas do të dërgohej në Kuvend, deri te nënshkrimi i Presidentit. Pra është një proces që nuk dihet kur do të përfundoi me gjithë dëshirën e pacientëve”, ka shpjeguar ai.
Pas kësaj deklarate, prokurorja e ka pyetur dëshmitarin nëse ministri i atëhershëm, Alush Gashi e kishte themeluar këtë komision, por Rrecaj është përgjigjur se jo.
Ky dëshmitar ka vazhduar dëshminë e tij duke thënë se në atë kohë, asnjë institucion privat shëndetësor në Kosovë, nuk ka pasur mundësi të kryej transplantime të veshkave.
Lidhur me kërkesën e “Medicusit” për transplantim të veshkave, ai ka thënë se ajo i ishte dërguar ministrit.
I pyetur nëse kishte biseduar me ministrit për këtë kërkesë, Rrecaj ka thënë se po.
“Kam bisedu se a do të zhvillohet legjislacioni që ta aplikojë klinika ‘Medicus’ dhe klinikat tjera. Kanë qenë biseda shumë të shkurta, 3-5 minuta se ai do të mendon për procedimin e tyre, ka qenë detyrë e tyre për ta proceduar më tutje”, ka deklaruar Rrecaj.
Prokurorja ka kërkuar të dijë nëse edhe djali i Lutfi Dervishit, Arban Dervishi kishte shkuar në Ministri të Shëndetësisë, për tu interesuar për këto çështje.
“Të gjithë personat që kanë bërë kërkesa është dashur të vijnë në ministri sepse nuk ka funksionuar shumë posta”, ka thënë ai.
“Gjatë këtyre takimeve të ministrisë, Shaip Muja, Lutfi Dërvishi, Arban Dërvishi, a është diskutuar që t’i jepet licenca pavarësisht legjislacionit?”, ka qenë pyetja tjetër e prokurores për dëshmitarin.
“Siç e thash e kemi diskutuar që në të ardhmen ta rregullojmë, por në këtë formë siç po thoni ju, jo”, është përgjigjur ai.
Seanca është duke vazhduar.
Gjykimi maratonik i rastit “Medicus”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.
Shqyrtimi kryesor për këtë rast filloi më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.
Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 shpalli verdiktin final për këtë rast. Sipas aktgjykimit Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.
Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “krim të organizuar”, por u dënua për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.
Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla u shpallën fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.
Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.
Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.
Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 ka shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.
Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.
Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, u shpallën të pafajshëm nga shkalla e dytë.
Ky aktgjykim u ishte dërguar të gjitha palëve ndërmjet 25 shkurtit dhe 4 marsit 2015.
Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Gjykata Supreme të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.
Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kanë parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme ka hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.
Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.
Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu kishte lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.
Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.