Ish-Shefi i Gjykatës së UÇK’së pajtohet me Sylejman Selimin se politikanët ia montuan burgun

Prishtinë | 04 Nën 2018 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Njeriu që ka udhëhequr Gjykatën e UÇK’së gjatë luftës po pajtohet se rasti i Sylejman Selimit është i montuar. Po pajtohet edhe me konstatimin e ish-Shefit të UÇK’së se në burgimin e tij kanë dorë politikanë vendorë e ndërkombëtarë. Por, Dobruna nuk pranon të flasë me emra. Sylejman Selimi s’ka pasur raporte të mira sidomos me Presidentin aktual, Hashim Thaçin, të cilit ia ka refuzuar edhe dekoratën. Mbetet të shihet nëse akuzat e Selimit po drejtohen Thaçit, Veselit apo Haradinajt.
Denoncimi që bëri Sylejman Selimi, përmes një letre të shkruar nga burgu, për montim të procesit të tij gjyqësor po përkrahet edhe nga ish shefi i Gjykatës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna.

Dobruna, i cili aktualisht ushtron profesionin e avokatit, tha se pajtohet plotësisht me atë që tha Selimi.

Sipas tij, politika ka gisht në këtë proces, konkretisht shqipfolësit, disa prej të cilëve me shumë kënaqësi flasin për “të këqijat” e UÇK’së.

Megjithëse, ai refuzoi të flasë me emra.

“Krejt lufta ëshë duke u bërë kundër UÇK’së, s’është puna as te Sylejman Selimi”, tha Dobruna.

Për emra s’ka folur as ish-Komandanti i Përgjithshëm i UÇK’së. Në letrën e dërguar nga burgu, Selimi vetëm ka thënë se rasti i tij është i montuar nga politikanët vendorë e ndërkombëtarë.

“Fatkeqësisht i tërë procesi kundër meje po del të jetë proces i montuar nga politikanët vendorë e ndërkombëtarë”, ka shkruar Selimi.

I pyetur nëse ish-udhëheqësi i UÇK’së e pasluftës edhe i TMK’së lëshoi akuza ndaj Thaçit, Veselit e Haradinajt, Sokol Dobruna thotë se nuk mund të flasë për këtë emra pasi s’ka fakte.

Por, është i bindur se rasti i Selimit dhe udhëheqësve tjerë të UÇK’së është i montuar nga shqiptarët.

“Prova konkrete nuk ka. Ky është mendimi im. Por, prej pasluftës, po bëhet luftë nga disa shtresa, shqipfolësit, aq me kënaqësi flasin për “të këqijat” e UÇK-së, sepse nuk kanë marrë pjesë në luftë”, ka thënë ai.

Ish – Komandanti i UÇK’së Sylejman Selimi në një letër ekskluzive që e ka dërguar në adresë të Gazetës Express ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme e cila e refuzoi kërkesën e tij për lirim me kusht.

Në letrën e tij, drejtuar avokatit Tomë Gashi, Selimi bënë me dije se ka marrë vendim që tash e tutje të mos ketë përfaqësim ligjor pasi siç thotë ai procesi kundër tij është i montuar nga politikanët vendës dhe ndërkombëtarë.

Në letrën e shkruar me dorë, Selimi thotë se padrejtësinë ndaj tij do t’i dëshmojë koha dhe se ata që kanë marrë pjesë “në këtë montim politik duke ndërhyrë në drejtësi një ditë kanë me u turpëru para familjeve të tyre dhe para qytetarëve të këtij vendi. Koha do të dëshmojë”.

Ndërkohë, në shkurt të këtij viti, Sylejman Selimi kishte refuzuar të pranonte një dekoratë nga Hashim Thaçi për dhjetëvjetorin e pavarësisë.

“Prandaj dekorata e tillë për mua është e pa pranueshme, për aq sa une mbahem dhe dënohem padrejtesisht. Unë refuzoj këtë dekoratë duke mos pranuar kështu të
jem i fyer nga hipokrizia!”, kishte shkruar Selimi nga burgu.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme