Kina tha se ish-shefi i Interpol-it, Meng Hongwei, ka pranuar në gjyq se ka marrë mbi dy milionë dollarë ryshfet.
Media shtetërore tha se gjykata në qytetin Tianjin do ta shqiptojë vendimin e saj në një datë të mëvonshme.
Meng, i cili ka qenë udhëheqësi i parë kinez i agjencisë ndërkombëtare të policisë, është zhdukur në një udhëtim nga Franca për në Kinë, shtatorin e kaluar.
Pekini më pas ka konfirmuar se ai është arrestuar, në kuadër të luftës së presidetit kinez, Xi Jinping, kundër korrupsionit.
Gruaja e Mengut, e cila është në Francë, ka thënë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.
Në maj, asaj i është dhënë azil politik në Francë, për shkak të frikës se ajo dhe fëmijët e saj mund të rrëmbeheshin.
Meng, 65 vjeç, i cili ka jetuar në Francë, ka dhënë dorëheqje si president i Interpolit pasi është arrestuar nga autoritetet kineze.