Ish-zëvendëskryeministri serb: Rusia e ka përkrahur pa rezervë Millosheviqin në projektin e luftës

Prishtinë | 30 Sht 2021 | 20:55 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Zharko Koraq ka thënë se Sllobodan Millosheviq ka marrë përkrahje nga Rusia.

Koraq duke folur për dokumentarin “VIRUSSIA” që behët fjalë për ndikimin e diplomacisë ruse në Ballkanin Perëndimor është shprehur se, Rusia i ka dhënë Serbisë përkrahje të pa rezervë për projektin e luftës.

“Rusia i ka dhënë përkrahje të madhe Millosheviqit për projektin e luftës [në ish-Jugosllavi]”, ka thënë Koraq.

Profesori universitar Agim Zogaj tregon se zyrtarë të lartë të ushtrisë serbe kishin udhëtuar në mënyrë sekrete në Moskë për t’u takuar me shefin e shtatmadhorisë ruse.

“Shefi shtatmadhorisë ushtarake të ish-Jugosllavisë, Velko Kadijeviq në mars të vitit 1991 kishte pas një udhëtim sekret në Moskë, ku e kishte takuar për çështje të bashkëpunimit ushtarak pikërisht shefin e shtatmadhorisë ruse Jazevin, dhe për këtë udhëtim ka qenë i koordinuar, pra Kadijeviqi me Millosheviqin dhe Borsiav Joviqin kryetarin e atëhershëm të Federatës së Jugosllavisë”, tregon Zogaj.

Për ekspertin serb të sigurisë Darko Trifunoviq e gjithë nomenklatura jugosllave që nga viti 1989 kanë qenë njerëz të Rusisë.

“Shumë gjëra në historinë tonë, deri te bombardimi i Republikës Federative të Jugosllavisë në vitin 1999, pastaj Borislav Millosheviqit, Sllobodan Millosheviqit, Velko Kadijeviqit dhe tërë asaj nomenklature të njerëzve, të cilët që nga viti 1989, prej atyre ‘të mëdhenjve’ në Kosovë në mitingje e deri te ata që na sollën në luftërat e përgjakshme. Të gjithë këta kanë qenë njerëz të Rusisë”, shprehet Trifunoviq.

Ndërsa anëtari kroat i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zhelko Komshiq thotë se është e pamundur që të nxitet një luftë në Ballkan pa një ndihmë nga jashtë.

“Është e pamundur, pa një ndihmë nga jashtë që të shkaktohet çfarëdo lufte apo konflikti në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.

Ne këtë pjesë të dokumentarit flitet edhe për kushtet që ia vuri Rusia Serbisë që mos ta njohë pavarësinë e Kosovës. /RTK/


Të ngjashme