Ish Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka dhënë përkrahjen e tij për veprimin e djeshëm të Ushtrueses së Detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, për shfuqizimin e disa dekreteve për emërimin e konsujve.
Ai ka thënë se sa ka qenë në detyrë në kohën e Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, disa prej shteteve të fuqishme – mike të Kosovës kanë shprehur shqetësim në këtë drejtim, transmeton Klan Kosova.
“Me përgjegjësi të plotë, e theksoj se në vazhdimësi dhe sidomos në kohën sa isha zëvendësministër i jashtëm, përfaqësues të shteteve mike me peshë, më kishin shprehur shqetësimin e tyre që Qeveria e Kosovës emëronte në shtetet e tyre diplomatë përtej normave duke shfaqur dyshimin në qëllime, e që nënkuptueshëm krijonte pakënaqësi diplomatike”, është shprehur Berisha.
“Shndërrimi i shërbimit diplomatik në politikë të brendshme dhe në përmbushjen e dëshirave të individëve e grupeve, gjithnjë në dëm të shtetit të Kosovës duhet të ndërpritet, dhe dje u dha një sinjal shpresëdhënës nga u.d. se presidentit që meriton përkrahjen”.