Ish-zv.ministrja: S’pres rezultate nga Samiti i Berlinit, mungesa e Vuçiqit tregon seriozitetin e Serbisë për BE

Prishtinë | 16 Tet 2023 | 14:42 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-zëvendësministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra, nuk pret ndonjë marrëveshje konkrete nga Samiti i Berlinit që po mbahet në Tiranë. Shkak për këtë janë ngjarjet në veri dhe mungesa e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, raporton Ekonomia Online.

Ndër arsyet e skepticizmit të saj është përfaqësimi i Serbisë në këtë samit me kryeministren Ana Brnabiq, pasi sipas saj, ajo nuk ka peshë politike në Serbi.

Ndonëse e sheh të mirëseardhur mbajtjen e këtij procesi në Tiranë, Shkodra ka thënë se u mundëson vendeve të Ballkanit Perëndimor që të përfitojnë investime dhe përgatitje për anëtarësim në BE.

“Fillimisht dua të them se është një lajm i mirë që për herë të parë po organizohet Samiti i Berlinit në Tiranë. Keni parasysh se deri më tani ky Samit është mbajtur në vendet anëtare të BE-së, kështu që kjo një e arritur për Shqipërinë por njëkohësisht edhe për neve si Kosovë. Sa i përket anës tjetër, ju e keni parasysh se Samiti i Berlinit është një farë organizimi i cili tenton që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i ofrojë drejtë BE-së. Si e bën këtë? Duke u ofruar investime në aspektin ekonomik në mënyrë që ato të përgatiten për anëtarësim në BE. Keni parasysh që këto investime jepen edhe për reforma të cilat janë të nevojshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo jo gjithmonë është dëshmuar se një gjë e tillë funksionon dhe tashmë po shihet sepse nuk është e mjaftueshme që të bëhen investime vetëm në ekonomi në mënyrë që vendet të përgatiten për anëtarësim por ka edhe procese politike që duhet të ecin konform proceseve ekonomike”, ka thënë ajo.

Krahas kritikave që ka për mungesën e presidentit Vuçiq, Shkodra ka thënë se duhet kërkuar llogari edhe për vizitën e tij në Kinë, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti rus, Vladimir Putin. Sipas saj, kjo vizitë e tregon mungesën e përkushtimit të Serbisë për t’u anëtarësuar në BE.

“Posaçërisht pas ngjarjeve që ndodhën më 24 shtator, unë e shoh mjaftë të vështirë të ketë hapa konkret drejtë lëvizjes përpara në këtë drejtim. Fillimisht po nisem nga ajo se nga kush po përfaqësohet sot Serbia. Serbia përfaqësohet nga kryeministrja Brnabiq, e cila peshën politike nuk e ka për të marrë hapa vendimtar dhe për të ecur më tutje. Një gjë tjetër që edhe Bashkimit Evropian dhe miqve tanë ndërkombëtar t’u bie në sy se absurdi tjetër është që presidenti Vuçiq niset për në Kinë dhe e shihni këtë ngjarje. Pra për Vuçiqin më e rëndësishme të jetë pjesë e një samiti që po mbahet atje e ku merr pjesë edhe presidenti Putin, ndërkaq në anën tjetër Samiti i Berlinit, e ku Serbia trumbeton se ka plan të anëtarësohet në BE, presidenti i saj nuk merr pjesë në këtë samit”, u shpreh ajo.

E mungesën e rezultateve nga ky samit, Shkodra thotë se lidhet edhe me sulmin terrorist në Banjskë, raporton EO.

“Këtë vit pritet që rezultatet të jenë shumë më të vogla. Prej 24 shtatorit, ende nuk kemi të gjetura zyrtare se çka ndodhi me këtë datë. Le anash retorikën politike e cila e dënon aktin terrorist. Faktet flasin vetë, ne kemi parë incizime dhe tani përsëri hezitohet që të dilet me një raport zyrtar dhe të tregohet se Serbia ishte prapa këtij sulmi dhe pas gjithë kësaj, unë nuk shoh do të ketë ndonjë lëvizje për të avancuar sidomos raportin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Të ngjashme