Riatdhesohen 37 detarë shqiptarë të cilët prej 4 javësh ishin bllokuar në bordet e mjeteve detare ku punonin, në Itali.
Lajmin e ka konfirmuar Drejtoria e Përgjithshme Detare:
“Pas një pune mjaft të madhe dhe ndihmës të Ministrisë Shëndetësisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme u arrit që 37 detarët të imbarkoheshin sonte (mbrëmë) në tragetin GNV AZZURRA në Bari dhe të nisen në drejtim të Shqipërisë”, njofton Drejtoria.
Detarët Shqiptarë priten të mbërrijnë në Portin e Durrësit mëngjesin e sotëm, ku janë marrë të gjitha masat për kontrollin e tyre mjekësorë dhe transportin e tyre.
“Administrata Detare Shqiptare ka qenë ne kontakt me gjithë detarët Shqiptarë qe punojnë në anijet me flamur te huaj duke i asistuar dhe këshilluar për problematikat që kanë. Nga kontaktet që kemi pasur, shumica e tyre vazhdojnë punën në anijet që transportojnë mallra duke kontribuar në lëvizjen e mallrave në këto ditë të vështira për gjithë botën”, e mbyll njoftimin Drejtoria e Përgjithshme Detare.