Shteti Islamik kërcënon të vrasë serbë, kroatë dhe tradhtarë të myslimanëve në Ballkan në paralajmërimin e tij më të fundit ndaj rajonit, publikuar në variantin boshnjak të revistës se xhihadistëve Rumiyah.
Betohemi për Allahun se nuk e kemi harruar Ballkanin, thuhet në mesazhin e cituar nga BIRN.
Në shkrimin me titull: “Ballkani-gjak për armikun, mjaltë për miqtë”, grupi terrorist lëshon paralajmërime të drejtpërdrejta për serbët dhe kroatët nisur nga roli i tyre gjatë luftërave në rajon e sidomos mizorive të kryera mbi myslimanët e Bosnjës.
Por nuk harron dhe pjesën tjetër.
Shumë shpejt, ushtarët e kalifatit do të ecin në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Tiranë, Prishtinë, Shkup e qytete të tjera duke derdhur gjakun e tradhtarëve, trumpetohet me të madhe në artikull.
“Mos mendoni se jeni të sigurt. Të gjithë tradhtarët e fesë islame në Bosnje, në rajonin serb të Sanxhakut, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni do të asgjësohen me shpata e kama, nëse nuk i kthehen islamit është kërcënimi i egër i Shtetit Islamik”, vazhdon artikulli, edhe pse pretendon më tej se gjaku i banorëve të një pjese të këtyre vendeve është më i dashur dhe i ëmbël për xhihadistët sesa ai i serbëve dhe kroatëve.
Autori i referohet ndër të tjera dhe sulmeve të ISIS-it në Britani, Francë, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, vende për të cilat thotë se janë më të forta sesa ato ballkanike, por sërish të pambrojtura ndaj goditjeve të befasishme.
Që prej shtatorit 2016, versioni boshnjak i revistës së Shtetit Islamik vazhdon të justifikojë sulmet e ndërmarra nga grupi terrorist në mbarë botën.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Bosnja është një prej eksportuesve më të mëdhenj rajonalë të xhihadistëve në Lindjen e Mesme dhe qëllimi i revistës në fjalë është të ndikojë më së shumti tek myslimanët e varfër dhe të papunë të këtij vendi.
https://www.youtube.com/watch?v=iL7YgttiHtg