Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend. Ai e ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për përjashtimin e partive politike shqiptare nga mbështetja dhe e ka akuzuar se ka hyrë në lojën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ismaili ka thënë se këtë lojë të rrezikshme të cilën është duke e bërë kryeministrin në detyrë, do të përfundoj me humbje për vet atë por edhe për Kosovën.
Lexoni reagimin e tij të plotë:
Kryeministri Kurti mes shumë gabimesh ka nisur një lojë të re, për ta fituar simpatinë e bashkësisë ndërkombëtare, raportet me të cilën i ka thellësisht të çara. Me letrat e një projekti të rrezikshëm në duar, bashkë me disa ndërkombëtarë që janë kundër pavarësisë së Kosovës, ka nisur të bëjë lëshime ekstreme në veri.
Për të mbetur disi në radarin e tyre, e për të mbijetuar politikisht jashtë, ai po sakrifikon gjithçka brenda. Ajo që e dëshmon më së shumti këtë skenar është rifaktorizimi i UNMIKU-t si palë ndaj Vuçiçit. Këtë rrethanë të izolimit nga qendrat kryesore ndërkombëtare të Kurtit, si dhe situatën me pandeminë, Serbia dhe Aleksandar Vucic do ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre në Kosovë.
Me spotin e tij, si “vëllazërim-bashkim” me Agimin dhe Goranin, Kryeministri tentoi ta largonte vëmendjen nga e vërteta brutale që sot është në veri. Në fakt, kjo është ajo që e dëshiron shteti serb. Të merremi sa më pak me veriun, në mënyrë që atje të veprojë sa më lirshëm dhe mundësisht sa më papengueshëm. E vërteta është se komunat në veri janë vendosur në karantinë dhe qytetarëve atje u është kufizuar lëvizja, për shkak të pandemisë, me urdhër nga Beogradi.
E vërteta tjetër është se Kryeministri Kurti, për ta larguar vëmendjen nga ky fakt, vendosi të akuzojë për tradhti. Një metodë e vjetër kjo e tij, e njohur tashmë nga të gjithë, që sa herë i zihet “bishti me rrotë”, bërtet për “tradhtinë”.
Më e drejtë do të ishte po të tregonte për agresionin që Serbia po e ushtron në veri, e të kërkonte ndihmë nga partitë shqiptare. Por, jo. Ai lypi ndihmë nga Agim Bahtiri, që ditë më pari tmerroi qytetarët duke folur për vëllavrasje, dhe nga Goran Rakic i Listës Serbe. Albin Kurti, me naivitet dhe pa përvojë, me mungesë totale të përgjegjësisë dhe guximit, ka filluar të hyjë në lojën e Aleksandar Vucicit.
I goditi liderët shqiptarë, u kërkoi qytetarëve të rrijnë të qetë, ndërsa veriun ua la Rakicit, Gjuriqit, e disa ndërkombëtarëve që për karrierë të tyre – të gjitha do t’ia dorëzonin Serbisë. Por, kjo lojë as nuk do ta thyejë izolimin ndërkombëtar të Kurtit, e as nuk do ta mbrojë sovranitetin në veri. Kjo lojë nuk mund të përfundojë ndryshe pos me humbje. Për Kurtin dhe për Kosovën.