Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se qytetarët e Kosovës duhet të presin edhe dy vjet për të marrë sigurimet shëndetësore.
Sipas tij, sistemi shëndetësor është shumë larg realizimit të një plani të tillë dhe se duhet shumë punë, kryesisht menaxheriale për të arritur deri te sigurimet shëndetësore. Ai i ka quajtur “flluskë sapuni” deklaratat se qytetarët në qershor mund të pajisjen me sigurime shëndetësore.
“Është padrejtësi e madhe sa i përket fondit të sigurimeve shëndetësore. Nuk e kemi dhe ky është realitet. Jemi në një situatë delikate. Është thënë që duhet ta kemi për gjashtë muaj. Kjo është ajo që më ka shty që pas analizimit të shohim se kur mund ta kemi. Tani i marrim disa shërbime ku mungojnë edhe barnat e pajisjet e të tjera. Çka nëse paguajmë sigurimet e shërbimet janë të njëjta. Nuk po ngutem të jap deklaratë, por shërbimet shëndetësore do të jenë për dy vjet. Në fund të vitit 2018 do të punojmë për pilotim. Për herë të parë kemi arritur të mbledhim pako bazike të shërbimeve, që secila klinikë të dijë çfarë shërbime të japë. Nuk mund një ditë të japë disa shërbime e një ditë jo. Kjo është hera e parë që kemi arritur ta bëjmë dhe kemi nisur tani të bëjmë kostimin, vënien e çmimeve. Çmimorja nuk rrjedh vetëm nga dëshira e tyre, ka kritere: kohën për sa e kryejnë një operacion për shembull të 500 eurove, sa pajisje përfshihen, cili duhet të jetë personeli. Të gjitha duhet të mblidhen dhe realiteti tregon se kushton për shembull100 euro dhe nuk do të ketë çmime veç se ata thonë ashtu. Do të ketë mbikëqyrje të të gjithave. Është proces i komplikuar sepse çdo shërbim duhet ta ketë koston e vet. Të mblidhen në qershor ka qenë deklaratë si ‘fluskë sapuni’ sepse prapa saj nuk ka pas institucion të gatshëm që i mbledh ato para dhe di si t’i menaxhojë atë. Dy vite duhet të jenë të mjaftueshme për ta përfunduar. Është punë që s’është bërë që 15 vite. Kur e jap afatin dy vjet është me një punë shumë të madhe prapa saj”, ka thënë Ismaili për Express Intervistën.
Ismaili ka thënë po ashtu se kanë krijuar një sistem softuerik i cili do të përcjellë të gjitha kontratat lidhur me barnat dhe është zotuar në menaxhim më të mirë lidhur me këto kontrata.
Sa i përket borxheve lidhur me kontratat ka treguar se ka shumë borxhe në kontratat e lidhura me pajisje me barna, por ka shtuar se ka edhe kontrata lidhur me produktet që spitalet s’kanë pasur nevojë fare për to, por janë blerë.
Ismaili ka thënë po ashtu se Oda e Mjekëve së shpejti do të nisë të merret me trajtimin e ankesave të qytetarëve. Ai ka thënë se kjo Odë do të ketë autorizim që të marrë vendime, varësisht se çfarë parashihet.