Deputetit i PDK-së, Uran Ismaili në hapje të Konventës, kujtoi porosinë që ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, ua kishte dhënë gjithmonë delegatëve të partisë, raporton Ekonomia Online.
“Kur ndalet PDK, ndalet Kosova, ruajeni njëri tjetrin dhe mos u ndalni, kjo është porosia që na ka dhënë gjithmonë Kadri Veseli”, tha Ismaili.
Ai tha se dobësimi i PDK-së, ishte qëllimi i të tjerëve, por sipas tij, duke qenë bashkë, rrugëtimi është më i lehtë.
“Dy themeltarët dhe frymëzuesit jo vetëm të PDK-së, por edhe të Kosovës, presin këtë nga ne, ashtu siç do t’i presim edhe ne ata, me punë e përkushtim, të bashkuar. UÇK-ja është prejardhja jonë dhe të gjithë e dinë peshën e saj. Në kohën e një errësire të plotë, UÇK-ja e shihte dritën dhe na tregonte rrugën. PDK-ja si trashëgimtare e saj nuk mund të ishte ndryshe”, u shpreh ai.
Fjalimi i plotë:
Të nderuar delegatë,
Kjo nuk është një Konventë e zakonshme dhe kjo nuk është një situatë e lehtë.
Të gjithë jemi me emocione të përziera sot.
Vështirësia në të cilën ndodhemi, për shkak të një imponimi që na është bërë nga jashtë, duke mbetur pa liderët tanë këtu, secilin prej nesh na obligon që të jemi më të vëmendshëm për tashmen dhe të ardhmen.
Dy themeltarët dhe frymëzuesit, jo vetëm të partisë sonë, por të tërë Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, e presin këtë nga ne.
Ashtu siç edhe ne do t’i presim ata, me punë, përkushtim dhe të bashkuar.
Është situatë dhimbjeje, por edhe përgjegjësie shumë të madhe.
Por, dorëzimi është mish i huaj për PDK-në.
PDK-në nuk mund ta gjunjëzojë askush përballë krenarisë sonë për vlerat që i kemi dhe për ato vlera që së bashku do t’i ndërtojmë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është prejardhja jonë identitare dhe të gjithë e dimë peshën e kësaj.
Nuk ka qenë e lehtë të shihej e ardhmja, kur atë e kishe parë UÇK-ja.
Në kohën e një errësire të plotë, UÇK e shihte dritën, e na tregonte udhët – duke u shndërruar në urë që lidhte të tashmen me të ardhmen.
Partia Demokratike e Kosovës, si trashëgimtare e saj, nuk mund të ishte ndryshe.
Ajo pashmangshëm u bë urë ndërmjet lirisë që erdhi nga lufta e UÇK-së dhe nevojave të qytetarëve për të dalë nga rrënimi, për ta zhvilluar një shoqëri demokratike dhe për ta lindur e ndërtuar shtetin tonë.
Këto ishin qëllimet tona.
Këto janë vlerat tona kombëtare.
Për ne, qëllimi dhe vlera gjithmonë kanë qenë bashkë.
Dhe, sot, sado që e tashmja është e vështirë, PDK sërish e sheh të ardhmen.
Një PDK e fortë që rikthehet aty ku e meriton, aty ku e presin qytetarët, sërish do të jetë urë që e lidh Kosovën me të ardhmen më të mirë.
PDK – si adresë politike me vizion të qartë për t’u dhënë përgjigje qytetarëve dhe për t’i dhënë zhvillim vendit – është ajo që e presin të gjithë.
Sepse, PDK-ja nuk di ndryshe.
Sepse, e tillë është PDK-ja.
Këtë e ka dëshmuar gjithmonë, në çdo rrethanë, në çdo situatë.
Dhe për këtë, secili nga ne duhet të ndjehet krenar.
Të nderuar delegatë,
Sot, ne të gjithë duhet të jemi bashkë.
Uniteti ynë në situatën që gjendemi është domosdoshmëri.
Historia e PDK-së, për të cilën jemi krenarë, nuk është pa sfida.
Shpesh, dobësimi ynë ka qenë qëllim i të tjerëve.
Por, duke qenë bashkë, e kemi më të lehtë rrugëtimin dhe realizimin e vizionit tonë për Kosovën.
Këtu, më duhet ta përsëris një fjali – që ju e keni dëgjuar të gjithë dhe e keni për zemër.
“Kur ndalet PDK, ndalet Kosova. Ruajeni njëri-tjetrin dhe mos u ndalni”.
Kjo është porosia që na e ka thënë gjithmonë Kadri Veseli.
Dhe, këtyre fjalëve nuk ka çfarë t’u shtohet.
Falemnderit të gjithëve dhe na priftë e mbara!