Ismaili: Kurti po i ikë përgjegjësisë duke krijuar krizë të re – kjo është e pa falshme

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, e ka bërë përgjegjës kryeministrin Albin Kurti për shkaktimin e krizave politike për të ikur nga përgjegjësia për tu marrë me pandeminë e shkaktuar nga Coronavirus.

Ismaili ka shkruar në faqen e tij në Facebook se ikja nga përgjegjësia e kryeministrit Kurti dhe prodhimi i një krize të re në përballjen me pandeminë, është e pandershme, e pafalshme dhe tepër e dëmshme për qytetarët.

Deklarata e plotë e Uran Ismailit:

Në vend që sot të koncentroheshim në tejkalimin e krizës shëndetësore e socio-ekonomike, e cila e ka përfshirë Kosovën pas pandemisë së coronavirusit, kriza u thellua edhe më tepër.

Duke u provokuar rrëzimi i Qeverisë, për shkak të inateve personale, u injoruan tërësisht qytetarët në një periudhë tejet delikate.

Kryeministri Kurti vendosi në karantinë qytetarët në Viti, Klinë e Malishevë, por sot i harroi ata dhe të tjerët që janë vetë-izoluar në Prishtinë e gjithandej Kosovës. I harroi, në një kohë kur gjendja në tërë vendin është e rëndë dhe me rrezik.

Në vend se të krijohet uniteti, dhe në vend se të merren vendimet e duhura e urgjente për ta përballuar me sa më pak pasoja këtë situatë kritike me coronavirusin, u provokua përçarja dhe iu kthye shpina të gjithë qytetarëve të Republikës sonë. Ikja nga përgjegjësia e Kryeministrit Kurti dhe prodhimi i një krize të re në përballjen me pandeminë, është e pandershme, e pafalshme dhe tepër e dëmshme për qytetarët.

Të ngjashme