Ismaili: Martin Berishaj vazhdon të privilegjohet në pushtet

Prishtinë | 10 Maj 2023 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës edhe të mërkurën ka vazhduar mbrojtjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet si i përfshirë në një skandal të madh financiar në Slloveni.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka reaguar pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka mbrojtur dhe quajtur Berishajn një “intelektual të shquar”.

Ismaili ka thënë se Berishaj ka gënjyer nën betim para komisionit hetimor të Kuvendit të Kosovës dhe ka mbajtur fshehtë transaksionet e dyshimta bankare.

Sipas tij, Berishaj është paguar 4 milionë euro nga GEN-i i Serbisë, edhe pse kompania e tij e kishte të regjistruar vetëm atë si punëtor.

“Çdokush tjetër përpos Martin Berishajt sot do të ishte në bankën e të akuzuareve. Vetëm njëra nga veprat e lartpërmendura janë bazë e mjaftueshme për shkarkim e arrestim. Por Martin Berishaj vazhdon të privilegjohet në pushtet. Hiç më larg se dje, ai u lartësua nga Kryeministri Kurti në pritjen solemne të ministrit të Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman. Martini shihet përkrah flamurit të Kosovës si ambasador fuqiplotë. Sfidon ligjet e Kosovës me pushtetin politik që ia dhuron kryeministri Kurti dhe me paratë e pista ai duket se ka blerë heshtjen brenda Qeverisë dhe brenda Vetëvendosjes”, ka shkruar Ismaili në “Facebook”.

Sipas Ismailit, asnjë qeveritar e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk po e ka guximin të shtrojë pyetjen se pse një njeri i korruptuar nga Serbia lartësohet vazhdimisht nga kryeministri Kurti.

“Pse ky ofendim ndaj flamurit e shtetit? Pse ky moszbatim i ligjit? Kryeministri Kurti duke mbrojtur dhe arsyetuar Martinin e Nagipin nuk është duke i pastruar ata, por po na tregon haptas që ai nuk mundet t’i largojë. E kjo është tregues i rëndësishëm për këtë qeveri”, ka shkruar Ismaili.

Të ngjashme