Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se me Projektligjin për Pagat mjekët do të paguhen dinjitetshëm, raporton Ekonomia Online. Projekligji ditë më parë ka kaluar në Qeveri dhe është proceduar në Kuvendin e Kosovës.
Ismaili, në tryezën ku u diskua për Projektligjin për Paga të organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, shtoi se në momentin që do të kalojë në Kuvend, do të jetë një hap i rëndësishëm për profesionistët shëndetësorë.
“Projektligji për Pagat parasheh rritjen e pagave për mjekët si asnjëherë më parë. Pagat në bazë të ligjit ri kanë ndryshim, të paktën për mjekët specialistë që është ndryshim rrënjësor. Ligji është një lëvizje e duhur në drejtim të duhur. Konsideroj se ka hapësirë për përmirësim. Ka një ndryshim të madh nga ajo që është paguar dhe që paguhet”.
“Unë jam aleat i këtij ligji që të kalojë, nuk mund ta humbim rastin që ta kalojmë këtë ligj sepse nëse nuk e kalojmë do të kthehemi në fillim. Do të jemi më një situatë që do të jetë regres për ne”.
“E dimë që kur kemi hyrë në këtë vit sektori shëndetësisë është përballur me probleme të mëdha dhe ato janë paraqitur në shumë pjesë, jo vetëm në paga, por edhe në infrastrukturë. Pra, një degradim total i sektorit të shëndetësisë. Ka ndikuar edhe fakti që nuk është ndarë buxhet i mjaftueshëm për sektorin”.
“Një tjetër reformë që kemi lidhë ka qenë edhe pagat e punëtorëve. Dy shtylla ku duhet të investohet, pacienti që të trajtohen mirë, fer, mos të kenë artificiale dhe shtylla tjetër të jetë mbi punëtorët mjekësorë. Është sektor që ka nevojë të madhe për fuqi punëtore. Kemi ardhur tek ajo që quhet kërkesë, rritja e pagës së tyre apo ndryshimi i pagës që e marrin për punën që e bëjnë”.
Ai ka përmendur Gjermaninë si shtet evropian, por që ka problem me mungesë të personelit mjekësor, duke paralajmëruar se nëse nuk investohet në këtë sektorë mund të kemi probleme të madh me mungesë të stafit.
“Shumë nga mjekë, të rinj, një numër shumë i madh i tyre janë zotuar se nëse ne iu sigurojmë një pagë më të mirë, më me qejf jetojnë në Kosovë. Kjo është shenjë e mirë që kemi një rini që gjatë studimit e sheh Kosovën si adresë e parë ku vepron, jeton dhe krijon familje”.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, tha se përveç që këtij ligj, janë tw domosdoshme edhe dy ligje tjera, ai i Administratës Shtetërore dhe Ligji për Zyrtarët Publik, që janë edhe kriter i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në BE.
Ajo ka thënë se ka nivelizimin të shtesave në mënyrë të pabarabartë, raporton EO.
“Mendoj qe duhet të ketë standardizim të shtesave, e cila vlen pastaj për të gjitha kategoritë. Shtesat e veçanta dhe për të cilat kriteret bëhen me akte nënligjore nuk duhet të kalojnë më shumë se 20% të pagës bazë, gjë që në këtë projektligj nuk ndodh një gjë e tillë”.
“Mendoj qe duhet të rritet paga bazë por niveli i shtesave nuk duhet të kalojë mbi 30 për qind në asnjë rrethanë. Kjo krijon mundësi për pabarazi dhe keqpërdorime brenda institucioneve ku realizohet ky ligj”.
Kryetari i FSShK-së, Blerim Syla, ka paraqitur kërkesën e sindikatës për pagat e punonjësve mjekësorë, duke kërkuar që ata të kenë vend meritor.
“Nuk bëhet për ngritje apo zbritje, por kërkesa sindikatës është që punëtori shëndetësor ta ketë vendin e merituar. 14 mijë e 70 pacientë që vitin e kaluar i kanë kërkuar diku 10 mijë shërbime. Jemi shumë larg standardeve të punëtorëve shëndetësorë.
Ai ka thënë se duke marrë parasysh shkollimin dhe nivelin e stafit mjekësor, duhet të bëhen përllogaritjet se në çfarë niveli duhet të jenë pagat e tyre.
“Pavarësisht stigmatizimit që po na bëhet çdo ditë ne po punojmë”.
Ndërsa ka shtuar se problemi i sotëm i studentëve që studiojnë mjekësinë është se ata po ikin nga vendi për shkak se nuk po gjejnë koeficientin që po e kërkojnë.
“Ne nuk po dimë ta mbrojmë punëtorin shëndetësor. Ky është problem nacional. Sindikata e shëndetësisë ka bërë me vite hulumtime. Është momenti fundit dhe kemi bërë kërkesë tek Ministria e Shëndetësisë dhe kemi vendosur ta hapim këtë kapitull. Jo të gjithë kanë me qenë në rregull me ligjin e Pagave”.
“Ne po kërkojmë që koeficienti i mjekëve të jetë 6, pastaj 0.5 mjeku familjar, i përgjithshëm dhe mjeku specializim. Mirëpo këtu nuk janë ranguar mjekë të tjerë, stomatologë, psikologët”.
“Trishtuese është mosha mesatare e mjekëve është duke u rritë, dmth jemi tu u plakë. 53 vjeç është mosha mesatare. A do votohet a jo nuk e dimë, por e di që sindikata në janar të 2019 nuk do të rrijë e qetë “.