Ismaili merr mbështetjen e deputetëve gjermanë për reformat në shëndetësi

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili është pritur sot në Berlin nga komisioni për shëndetësi i Bundestagut. Deputetët gjerman shprehën gatishmërinë e tyre dhe të shtetit gjerman për të mbështetjen e reformave për transformimin e shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, ka nisur sot vizitën e tij zyrtare tre ditore në Gjermani.

Në ditën e parë të vizitës, Ismaili ka takuar deputetët e Komisionit për Shëndetësi të Bundestagut, me në krye kryetarin e komisionit, Erwin Rüddle.

Duke folur për shëndetësinë, Ismaili u tregoi deputetëve gjermanë për reformat të cilat është duke i realizuar për transformimin e shëndetësisë kosovare.

Që këto reforma të jenë më të shpejta, Ismaili kërkoi edhe ndihmën e Gjermanisë për të përmirësuar shërbimet shëndetësore.

“Ne tashmë u kemi hyrë reformave të thella në shëndetësi në Kosovë. Por, në proceset e rëndësishme për vendin tonë, gjithmonë është e mirëseardhur ndihma e Gjermanisë. Edhe këtë herë, ne diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, tha Ismaili pas takimit.

Trajnimi i profesionistëve shëndetësorë, binjakëzimet mes spitaleve, prurja e ekspertëve të ndryshëm nga Gjermania në Kosovë për të ndihmuar përmirësimin e shërbimeve shëndetësore ishin disa nga kërkesat dhe temat e diskutimit.

Në këtë drejtim, kryetari i Komisionit për Shëndetësi në Bundestag, Erwin Rüddle, duke përgëzuar Ismailin për punën që është duke bërë për transformimin e shëndetësisë në Kosovë, shprehi gatishmërinë e tij dhe të komisionit për ndihmë në këtë aspekt..

“Ishte një takim shumë i mirë. Na vjen mirë për punën që është duke u bërë atje. Ne jemi të gatshëm që të ofrojmë çfarëdo bashkëpunimi për të cilin do të keni nevojë”, ka thënë Rüddle.

Përveç diskutimit për shëndetësi, Ismaili kërkoi edhe mbështetjen e deputetëve gjerman për liberalizimin e vizave për Kosovën, si vendi i vetëm në Ballkan pa të drejtën e lëvizjes së lirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme