Në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, është mbajtur sot ekspozita e 14 vjeçares, Yllka Leti.
Yllka bën pjesë në mesin e një numri të konsiderueshëm personash në Kosovë me Fibrozë Cistike, pjesë e sëmundjeve të rralla.
Trajtimi i kësaj sëmundje të pashërueshme, është shumë i shtrenjtë. Yllka shpenzon rreth 1700 euro në muaj për medikamentet që i duhen asaj.
Kështu, për të ndihmuar familjen në sigurimin e mjeteve për medikamente, Yllka pikturon dhe nga shitja e tyre mbledh paratë që i duhen.
Një ekspozitë me punimet e Yllkës e ka organizuar sot KultPlus, ku kishte shumë të interesuar për pikturat e saj.
Mysafir ishte edhe ish ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili kritikoi dy pasardhësit e tij që nuk implementuan Listën e Re të Barnave Esenciale për të ndihmuar edhe këta qytetarë që vuajnë nga kjo sëmundje.
Ismaili bleu edhe një pikturë të Yllkës për ta ndihmuar kauzën e saj.
“Në ekspozitën e Yllka Letit, artistes 14 vjeçare të talentuar, e cila, fatëkeqësisht vuan edhe nga Fibroza Cistike. Ajo sot pikturon për të siguruar paratë për medikamentet e saj. Si ministër i shëndësisë, unë e kam nënshkruar Listën e Re të Barnave Esenciale e cila mundësonte që shteti të blente barnat për Yllkën dhe 215 fëmijë tjerë me këtë sëmundje. Fatkeqësisht, asnjëra Qeveri që erdhi më pas nuk e kishte vullnetin që ta jetësonte atë listë. Kudo dhe gjithmonë do të avokoj që kjo listë që mbronë nga shpenzimet e larta financiare Yllkën dhe të gjithë të prekurit nga sëmundje të rralla të jetësohet dhe jeta e tyre të lehtësohet.”, ka shkruar Ismaili.