Ismaili: Nis studimi i fizibilitetit për ShSKUK-në, i hap rrugë investimit 50 milionë euro

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 15:04 | Nga

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë Uran Ismaili ka nisur studimi i fizibilitetit për ShSKUK-në, i cili do t’i hapë rrugë projektit prej rreth 50 milionë eurosh për pajisje mjekësore.

Brenda 8 muajve, ekipi i ekspertëve nga Evropa që ka ardhur në Kosovë, do ta bëjë gati dokumentin strategjik, në bazë të të cilit do të orientohen investimet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme, si pjesë të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Projekti i studimit të fizibilitetit, i financuar nga “Western Balkans Investment Framework”, do të realizohet përmes asistencës teknike të WBIF-IPF 6 me përkrahje të Bankës Evropiane për Investime.

Projekti ka për qëllim të vlerësojë gjendjen ekzistuese të infrastrukturës së pajisjeve mjekësore në kujdesin dytësor dhe tretsor shëndetësor në Kosovë, dhe nevojat për: Pajisje të reja; staf shtesë profesional; trajnime specifike të stafit për përdorimin e pajisjeve; mbështetje teknike dhe material shpenzues për pajisjet.

Ministri Ismaili ka thënë se ky projekt i hap rrugë investimit 50 milionësh. “Me kërkesën tonë ka nisur studimi i fizibilitetit për SHSKUK-në, i cili i hapë rrugë projektit prej 50 milionë eurosh për blerjen e pajisjeve mjekësore. Për 8 muaj, do ta kemi gati dokumentin strategjik, në bazë të të cilit do të investojmë kredinë 50 milionëshe në spitalet tona. Ngadalë do t’i vijë fundi edhe problemit me pajisje”, ka thënë ai.

Projekti do të zgjasë 8 muaj dhe në fund të tij ekspertët ndërkombëtarë në bashkëpunim me stafin vendor profesional do ta prezantojnë listën e pajisjeve të duhura mjekësore me specifika teknike, si dhe rekomandimet për stafin dhe trajnimet e duhura për të përdorur pajisjet mjekësore.

Ky studim do të tregojë gjendjen reale ekzistuese dhe do të mundësojë aplikimin për fonde për të siguruar pajisjet e duhura mjekësore.

Studimet e tilla të mbështetura në dëshmi, nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë, janë e vetmja mënyrë për t’i pasqyruar nevojat reale të institucioneve tona shëndetësore.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme