Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, sot ka bërë prezantimin e programit nacional i cili parasheh që në rast të infarkteve akute në krejt Kosovën të bëhet reagimi dhe raportimi i shpejtë i rasteve dhe pacienti të arrijë shpejtë në QKUK.
Përmes këtij projekti do të mundësohet që dukshëm të rritet koha e reagimit tek rastet e infarkteve akute në nivel të krejt Kosovës dhe të bëhet raportimi i menjëhershëm i rasteve nga të gjitha qendrat e Kosovës.
Duke folur për këtë projekt, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se përmes këtij projekti do të bëhet e mundur që për 2 orë që nga simptomat e para, pacienti të merr shërbimin, e gjithë kjo kohë llogaritet si kohë e artë për reagim dhe shpëtim të jetës së pacientit.
“Është një ditë e rëndësishme, një ditë që na bën neve e më shumë juve krenar si mjekë e punëtor shëndetëso, për faktin se avanconi shërbime të reja që ndoshta as nuk kanë qenë të planifikuara e menduara disa vite më herët, me punë keni bërë të mundur që ne të krijojmë projekte të reja që kanë rezultate direkt në jetën e njerëzve”, tha Ismaili.
“Sëmundjet kardiovaskulare janë rreziku kryesor që kanë barrën më të madhe të vdekjeve, edhe në Kosovë ka trend të rritjes të kësaj sëmundje dhe ne duhet të krijojmë mundësi dhe kushte me shërua këto sëmundje. Një projekt i tillë që e ulë vdekshmërinë është ky projekt që mundëson intervenim brenda 2-orëve që nga koha e sulmit në zemër, arrijmë që brenda 2 orëve që konsiderohen si kohë të arta të arrijmë me intervenim me shpëtuar jetë që pacienti të vij në QKUK nga niveli primar duke tejkaluar procedurat e panevojshme me marr shërbimin që pacienti ka nevojë”, shtoi ai.
Ministri me këtë rast tha se ky projekt po tregon se disa hallka të shëndetësisë po forcohen.
“Ky fakt bën që të kuptojmë që disa hallka të sektorit të shëndetësisë janë duke u përmirësuar, e para që QKUK nëpërmjet pajisjeve të reja, organizimit më të mirë dhe funksionimit 24 orësh ka arritur të mbajë barrën e pacientëve brenda institucioneve publike. Tani po kalojmë në forcimin e mjekësisë primare dhe pacienti të mos humbet në mes këtyre dy hallkave dhe që të përfundoj me fatalitet”, theksoi Ismaili.
Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se ky është projekti më i rëndësishëm në shëndetësi nga paslufta.
Sipas tij, brenda 120 minutave përmes këtij projekti arrihet të shpëtohet muskuli i zemrës dhe pacienti të mos mbetet me invaliditet.
Sejdiu foli edhe për punët dhe hapat që janë ndërmarrë duke theksuar se tashmë janë në funksion 2 salla të kateterizimit dhe ka specialistë dhe staf tjetër të trajnuar.
Ai foli është për historikun dhe koronarografinë e parë që është bërë në Kosovë.
“Koronarografinë e parë e kemi bërë 31 tetor të vitit 2003, ndërsa stentimi i parë më 5 mars 2005 nga ky ekip, ekipi që ishte trajnuar atje nuk kishte arritur ta realizonte kardiologjinë invazive në QKUK për shkaqe objektive”, theksoi Sejdiu.
Rreth 3 mijë persona, apo 35% e të gjitha vdekjeve brenda vitit në Kosovë, shkaktohen nga sëmundjet e zemrës.
Për çdo vonesë prej 30 minutash pas infarktit, rreziku i vdekshmërisë rritet për 7.5%.
Prezantimin e programit e bërë Tefik Bekteshi, drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive dhe Dorjan Maursic, ekspert nga Sllovenia.