Ismaili: Po shohim një rënie të Vetëvendosjes

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 22:00 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili, njëherit kandidat nga radhët e kësaj partie për deputet, ka thënë se ajo që po sheh është një rënie e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ajo që po shohim është se ka rënie të Lëvizjes Vetëvendosje. Po e shohim që mungesa e debatit, planeve, kërkesa që të votohet një person, shpeshherë shihet edhe ambicia e tij mbi rendin kushtetues, mbi Kushtetutën e Kosovës dhe mbi ligjet e Kosovës, gjitha këto po e ulim besimin që ndoshta qytetarët kanë mundur ta kenë. Në anën tjetër po shohim planet konkrete të PDK-së, pakoja e rimëkëmbjes ka qenë dëshmi që PDK-ja mund të realizojë diçka për qytetarin”, ka thënë Ismaili në DESKUN e KOHËS. “Çfarë modeli ke parë nga opozitat tjera gjatë tërë kohës. Gjitha opozitat tjera që kanë qenë në Kosovën, asnjëra nuk ka votuar diçka që është kërkuar nga Qeveria edhe nëse ka qenë në të mirë për qytetarin. Përkundrazi ke pasur opozitë destruktive. PDK-ja ka dhënë ekspertin e vet më të mirë, në këtë rast Bedri Hamzën, dhe ka dal e ka realizuar Pakon e Rimëkëmbjes dhe e kemi votuar. Qytetarët po munden të bëjnë dallimin se kjo është ajo çka mund të presin nga Qeveria e PDK-së. Të presin veprime konkrete, plan konkret, ekip dhe implementim”.

Ai ka thënë se nga VV-ja po shihet një sinkronizim i të gjithëve për zgjedhjen e një personi dhe asgjë tjetër.

“Po shohim nga Vetëvendosja se ka një sinkronizim të gjithëve për zgjedhjen e një personi dhe asgjë tjetër. Kjo është vula e vetme e këtyre zgjedhjeve, sipas Vetëvendosjes, që të zgjidhet një person dhe që nuk ka plane dhe vendos veten mbi shtetin. Në ditët e fundit nga kërkesat për të mos u respektuar vendimi i Kushtetueses, mendoj se kjo ka qenë e dëmshme. Kushtetuta ka rrëzuar edhe president dhe ka prish plane të PDK-së. Në kohën kur u zgjedh Behgjet Pacolli, ka qenë plan i PDK-së ndoshta, por e rrëzoi Kushtetuesja”, ka thënë Ismaili.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme