Deputeti i legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Fisnik Ismaili shpreh bindjen se koalicioni PDK-AAK-Nisma nuk i ka numrat.
Ismaili, ka thënë se po t’i kishte numrat PAN, seanca konstituive do të thirrej deri tani.
Ai thotë se tashmë është e qartë se PAN-i është duke pasur probleme të mëdha me sigurimin e numrave për krijimin e Qeverisë.
“T’i kish pas PAN-i numrat, deri tash ish mbajë seanca konstituive. Kaluan gjashtë javë prej se përfunduan zgjedhjet, shkuan gati dy javë prejse u certifikuan zgjedhjet. Do të thotë, po t’i kishin pas numrat kjo punë ishte krye moti, por po vërehet qartë që numrat s’janë edhe janë t’u pas probleme edhe po mundohen me ble kohë në mënyrat ma të ndryshme të mundshme”, tha Ismaili për Persikopin.
Ismaili, po ashtu, mohoi mundësinë që ndonjëri prej deputetëve nga partia e tij të jetë votues i mundshëm i Qeverisë Haradinaj, edhe pse janë përfolur emra të ndryshëm nga mediat lidhur me këtë çështje.