Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga PDK-ja Uran Ismaili, ka folur për shumë çështje që e preokupojnë qytetarët e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ai në “Paper Radio”, tha se një ndër problemet kryesore në kryeqytet mbetet trafiku urban, prandaj sipas tij, zgjidhja është ndërtimi i parkingjeve jashtë Prishtinës.
Krejt kjo thotë ai do të jetë e ndërlidhur me trafikun urban.
“Duhet ta kuptojmë që Prishtina i ka mbi 80 mijë vetura, ndërsa hyjnë brenda saj në ditë mbi 130 mijë vetura, ku problematikë është parkingjet, sepse vazhdojnë t’i parkojnë rrugëve apo afër lokaleve. Po ashtu po i bllokojnë rrugët e lagjeve”.
“Ne kemi propozuar disa masa. E para është që Prishtina duhet të ketë parkingjet jashtë Prishtinës, ku mandej hip ne trafikun urban, ku me këtë biletë e paguan edhe tiketën e parkingut dhe atë të trafikut urban. Gjithashtu, Prishtinës i duhen edhe disa autobusë urban”, tha ai.
Problematikë tjetër në kryeqytet mbetet qentë endacake, e për këtë ai tha se do të formohet një njësi e menaxhimit.
“Prishtina ka një numër të konsiderueshme të qenve endacakë, ku qytetarët po ndihen të rrezikuar. Është e domosdoshme që te gjitha rrugës dhe lagjet të jenë te qeta. Ajo që kamë thënë unë është se duhet të ketë një njësi për qentë endacake, pra kur jeni të rrezikuar në lagje, mund ta thirrni dhe ata vijnë e dërgojnë në strehimore”, tha Ismaili.
Ai foli edhe për spitalin e Prishtinës dhe Policinë e kryeqytetit, duke garantuar se ekziston projekti, ndërkaq për të dytën tha se duhet të përfundojë, pasi ekziston ligji që ia mundëson një të tillë.
“Projekti është i gatshëm por disa mungesa bashkëpunimi, nuk më është mundësuar nisja e ndërtimit. E kam pasur një vullnet të mirë për me nis. Sa i përket policisë së qytetit, Prishtina është qytet që duhet të jetë shumë kërkues, ku e gjithë administrata qeveritare është këtu, dhe unë e shoh vetën si kryetar shumës kërkues”.
E për ndërtimet që kanë ndodhur në Prishtinë, Ismaili tha se komuna duhet të jetë më rigoroze dhe mos ta lejojë degradimin e qytetit, raporton EO.
“Realisht sot e ke ‘Muharrem Fejza’, ku qytetarët kanë blerë banesë dhe e konsiderojnë një hap të rëndësishëm dhe gjithë ai mund, po iu shkon poshtë. Pra kur e shoh këtë lagje, atyre iu është bërë një pengesë e madhe”.
“Prishtina, duhet të ndërtohet me standarde të mira, nuk ka pasur një bashkëpunim të mirëfilltë dhe Komuna duhet të jetë më rigoroze. Unë vet kam qenë ministër kur një kompani është dënuar mbi 800 mijë euro”, tha ai.