Në takimin e parë të Komitetit për Revidimin e Listës Esenciale të Barnave, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se ky takim ka rëndësi të veçantë për shkak se revidimi i listës esenciale të barnave nuk është bërë që nga viti 2012.
“Sot e mbajmë takimin e parë të Komitetit për përpilimin e listës esenciale të barnave. Takimi i rëndësie të veçantë për institucionet shëndetësore të vendit, e me theks të veçantë për pacientët tanë, sepse siç e dini, revidimi i listës esenciale nuk është bërë që nga viti 2012, gjersa rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë që këto revidime të bëhen të paktën një deri në dy vite”.
Ministri tregoi për hartimin e dokumentit që sqaron procesin e aplikimit për barnat esenciale, raporton Ekonomia Online.
“Është hartuar dokumenti teknik, i cili sqaron tërë procesin e aplikimit, ku parashihet që për secilin produkt të bëhet një analizë e detajuar, e cila përfshin rëndësinë për shëndetin publik, numrin e pacientëve dhe numrin e pacientëve të rinj brenda një viti, alternativat terapeutike, koston e alternativave terapeutike, etj.”.
Ismaili bëri të ditur që në këtë proces është e përfshirë edhe Agjencia Kundër Korrupsionit, e cila do ta monitorojë procesin gjatë gjithë kohës, raporton EO.
“Pjesë me rëndësi është përfshirja e Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila ka shprehur gatishmërinë të kontribuojë dhe të monitorojë gjatë gjithë kohës secilin hap”.
Ismaili e cilësoi këtë proces të rëndësishëm por edhe delikat, raporton EO.
“Ky është një proces sa i rëndësishëm, aq edhe delikat. Ka një arsye pse nuk është bërë revidimi që nga viti 2012, pra nuk ka pasë një vullnet duke ditur se mund të jetë proces mjaft i ndërlikum, mirëpo është detyrim i joni që ta revidojmë, sepse në mungesë të revidimit ne jemi duke i lënë pacientët pa barna të cilat kanë nevojë që t’i kenë”.
“Ftoj secilin nga ju që të mundoheni të punoni me përgjegjësi të madhe. Keni një përgjegjësi tepër të madhe, por në anën tjetër jam shumë i bindur në profesionalizmin tuaj. Jam i bindur që do të arrijmë ta plotësojmë këtë kërkesë të pacientëve tanë që viti 2019 të na gjejë në një situatë krejtësisht tjetër”.
Shaip Havolli, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, kërkoi që të ketë sa më shumë transparencë për raportimin e konfliktit të interesit, raporton EO.
“Është mirë që të ketë sa më shumë transparencë, mos e shihni si frikë ta deklaroni konfliktin e interesit, e mundshëm të interesit, mund të ndodhë që s’keni. Mos u jepni mundësi të tjerëve me komuniku”.
“Agjencia së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë do t’ju ndihmojë, do t’ju ofrojmë zgjidhje kur me të vërtetë keni konflikt interesi, kur e deklaroni. Në rast që gjatë këtij procesi hasen që disa anëtarë të komisionit ose individë nuk e kanë deklaruar, ne kemi shënime të mjaftueshme për çështje të konfliktit të interesit”.
“Kjo është një iniciativë ku për herë të parë ministri ka vendosur që ta ftojë agjencinë t’i ndihmojë. Kjo është diçka për t’u vlerësuar sepse edhe Ligji i parandalimit të konfliktit të interesit thotë që duhet të ndalet konflikti i interesit që të mos ketë pasoja, sepse atëherë nëse haset do të ketë pasoja kundërvajtje apo penale”.