Oda e Mjekëve të Kosovës ka mbajtur tryezë të rrumbullakët me temën “Përgjegjësia profesionale, etike dhe penale e mjekut – Kufijtë dhe sfidat”.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se sektori i shëndetësisë është i ngjashëm me sundimin e ligjit, sepse kërkon fuqi punëtore dhe këtë e japin mjekët për t’i kryer shërbimet e tyre mjekësore, raporton Ekonomia Online.
“Instituti i Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Oda e Mjekëve të Kosovës përballet me shumë qytetarë që konsiderojnë që mjekët kanë shkelur ligjet e Kosovës në trajtimin e tyre dhe këto raste jo rrallëherë kanë krijuar një klimë të mosbesimit në mjekësi dhe kjo klimë që është krijuar nuk e rëndon vetëm pacientin, por edhe mjekun në shërbimin e tyre”, tha Ismaili.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se shpreson që kjo tryezë do të shërbejë për bashkëveprim të përvojave të vendeve të tjera në pjesën ligjore profesionale në sferën e shërbimeve mjekësore, raporton EO.
“Kjo konferencë duhet të na shërbejë në ngritjen e reflektimin dhe shkëmbimin e përvojave në mes akterëve kyç që janë të përfshirë në fushën e sundimit të ligjit dhe në sferën e mjekësisë, në edukimin e përgjithshëm me qëllim të një strategjie në ngritjen e shërbimeve më të avancuara në sferën mjekësore”, tha Tahiri.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tha se qëllimi i tryezës është që përmes diskutimit në mes të akterëve të ndryshëm institucionalë, bazuar dhe nga përvoja e vendeve të tjera evopiane të ngrihet nevoja për ndërmarrjen e veprimeve, si në kuptim të emancipimit institucional të trajtimit të problematikës së tillë, ashtu edhe trasimit të strukturës normative, raporton EO.
“Ndonëse nuk ka asnjë mëdyshje se përgjegjësia penale prodhon pasojën më të rëndë juridike në krahasim me përgjegjësitë e tjera që mund t’i bartë mjeku, nuk janë të pakta rastet kur mjeku i është nënshtruar stigmatizimit penal për shkak të paqartësive juridike në kuptim të identifikimit të drejtë të ndarjes së qartë në mes mjekut përgjegjës si profesionist, si qenie e ndërgjegjshme dhe si subjekt aktiv penal”, tha Sejdiu.